Nëna planifikon vrasjen e vajzës 12-vjeçare, por tradhtohet nga ekzekutuesi.
Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në Rusi, ku një grua 46-vjeçare është arrestuar pasi u përpoq të organizonte vrasjen e vajzës së saj të mitur.
Sipas mediave lokale, gruaja e identifikuar si Svetlana kishte kontaktuar një të njohur të saj dhe i kishte ofruar 1100 euro për ta mbytur vajzën 12-vjeçare në një lumë në rajonin e Chelyabinsk.
Por, plani i tmerrshëm nuk u realizua. Burri që ajo kishte rekrutuar për kryerjen e krimit, 36-vjeçari Andrei, zgjodhi të veprojë ndryshe. Ai e njoftoi të miturën për rrezikun që i kanosej, ndihmoi në fshehjen e saj dhe më pas informoi menjëherë policinë.
Autoritetet ndërhynë në kohë dhe arrestuan nënën, e cila tashmë përballet me akuza të rënda dhe mund të dënohet deri në 15 vite burg.
Vajza, së bashku me dy vëllezërit – një 6 dhe tjetri 17 vjeç – është vendosur në një institucion social, ndërsa familja ka edhe një vajzë tjetër 18-vjeçare.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik rus, duke ngritur shqetësime serioze mbi shëndetin mendor, kushtet sociale dhe sistemin mbështetës për familjet në krizë. /Telegrafi/