Debatet politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë marrë një kthesë të pazakontë, duke u shndërruar në një “betejë” muzikore me vargjet e Unikkatilit, shkruan Raporto24.
Gjithçka nisi kur Basha, përmes një deklarate, e sfidoi Ramën me pyetjen “Ku i ke shokët?”, duke e shoqëruar mesazhin e tij me një këngë të reperit të njohur.
Por kundërpërgjigja e kryeministrit nuk vonoi. Në një video të postuar në rrjetet sociale, Rama i drejtoi Bashës një tjetër varg nga repertori i Unikkatilit: “Pse nuk e kupton që ti s’mun m’u shty me mu? Ti ndaç mohoje dost, sa herë ke provu me mu, ke dështu”, duke ironizuar liderin e opozitës.
Më tej, Rama e krahasoi Partinë Socialiste me një oqean “ku një bie dhe mijëra ngrihen”, ndërsa Bashën me një “lugë uji” ku ai është i zhytur.
Kjo përplasje me nuanca artistike ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, ku qytetarët po e ndjekin me interes dhe humor. Mbetet për t’u parë nëse Basha do të zgjedhë të vazhdojë këtë “diss politik” me një tjetër këngë, apo nëse kjo do të mbetet vetëm një episod i veçantë në arenën e debatit publik.