Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë në Ferizaj, nën dyshimet për tejkalim të autorizimeve policore, duke përdorur forcë ndaj një qytetari.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se zyrtarët e suspenduar janë Fatjon Ymeri, Ermira Topalli, Lirim Krasniqi, Shaip Gashi, Denis Jashari dhe Altin Ramadani.
Siç thonë të njëjtat burime, viktima fillimisht është arrestuar dhe dërguar në stacion policor, ku është mbajtur për rreth 3 orë por nuk është hapur rast. Pasi është kontaktuar prokurori, i njëjti ka urdhëruar që të kryhen ekzaminimet mjekësore, përmes të cilave u zbulua se viktima ka lëndime të dukshme trupore, që dyshohen të jenë shkaktuar nga dhuna e ushtruar nga zyrtarët policorë.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e hershme të mëngjesit kur qytetari ishte ndaluar nga policia fillimisht si i dyshuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore.
Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj 6 zyrtarëve policorë, IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.