Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Strellc të komunës së Deçanit, ku Elbasan Ukaj ka qenë cak i një sulmi të armatosur. Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë të ditur se Ukaj është gjetur i përgjakur brenda kamionetës së tij nga dy zyrtarë policorë, të cilët ishin të parët që u përgjigjën thirrjes për ndihmë.
Sipas informacioneve të konfirmuara, Ukaj ndodhej ende në automjet në momentin që u gjet nga patrulla policore. Ai ishte në gjendje të rënduar emocionale dhe kishte marrë plagë nga të shtënat me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur teksa ai po lëvizte me kamionin e punës, kur një person i armatosur me kallashnikov, që kishte dalë nga një zonë e pyllëzuar, hapi zjarr ndaj tij.
Autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja i qetë, duke besuar se kishte përfunduar aktin e vrasjes. Megjithatë, Ukaj ka arritur të mbijetojë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Për shkak të seriozitetit të rastit, ai aktualisht është nën mbrojtje të Policisë.
Ngjarja ka ndodhur jo larg shtëpisë së Ukajt, gjë që shton dyshimet se sulmi ka qenë i organizuar dhe i mirëplanifikuar, me njohuri të hollësishme për lëvizjet e tij.
Hetuesit tashmë kanë nisur grumbullimin e provave në terren, përfshirë edhe këqyrjen e kamerave të sigurisë në zonë, në përpjekje për të identifikuar autorin dhe motivin pas atentatit.
Hetimet po udhëhiqen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Pejë, ndërsa autoritetet janë duke shqyrtuar të gjitha pistat, përfshirë edhe ato që mund të lidhen me motive personale apo veprimtari të tjera të ndaluara.