Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, të enjten do të takohet me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, në Prishtinë.
Takimi do të zhvillohet nga ora 11:00, ka konfirmuar për KOHËN këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu.
Vizita ka qenë e paparalajmëruar.
Sorensen për herë të parë vizitoi Kosovën e Serbinë në fund të marsit, që prej kur mori detyrën si zëvendësues i Miroslav Lajçakut në shkurt të këtij viti.
Ai ka premtuar qasje të re në dialog. Megjithëse, ende s’ka pasur takime në Bruksel meqë në Kosovë ende nuk janë formuar institucionet.
Sorensen është diplomat danez me përvojë të gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë shërbimin si përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë dhe si shef i delegacionit të BE-së në Shkup.