Kompania Enternet Sh.P.K ka lëshuar një njoftim publik për bizneset dhe qytetarët në lidhje me mbylljen e pikave të shitjes dhe servisimit të arkave fiskale në Kosovë. Sipas kompanisë, arsyeja kryesore lidhet me një vendim të njëanshëm të Ministrisë së Financave dhe ATK-së, i cili ndalon operatorët si Enternet të vazhdojnë aktivitetin në këtë sektor, duke përfshirë shitjen dhe ofrimin e shërbimeve për arkat fiskale./Raporto24/
Enternet bën të ditur se pas hyrjes në fuqi të udhëzimit të ri administrativ, të hyrat e kompanisë kanë rënë deri në 80%, duke i detyruar që përkohësisht të mbyllin shumicën e pikave të operimit dhe të largojnë nga puna mbi 80% të stafit. Sipas kompanisë, vendimi ka ardhur në një kohë kur atyre u është rinovuar licenca e operimit deri në vitin 2028 dhe janë bërë investime mbi 2.5 milionë euro për të përmbushur kërkesat e reja teknike dhe ligjore.
Gjithashtu, Enternet thekson se mungesa e një sistemi të ri funksional dhe e qartësisë institucionale rrezikon krijimin e një vakumi në sistemin e fiskalizimit dhe hap rrugë për evazion fiskal, duke ndikuar edhe në të hyrat e shtetit.
Aktualisht, kompania operon vetëm në pikën në Pejë për të vazhduar, në një formë të kufizuar, mbështetjen për bizneset që kanë nevojë për shërbime teknike. Enternet shpreh gatishmëri për bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për të gjetur një zgjidhje të përbashkët në interes të të gjitha palëve të përfshira./Raporto24/