Etrit Berisha është pranë një rikthimi të mundshëm në futbollin suedez, pasi skuadra e Hackenit ka mbetur pa portierin e parë, Andreas Linde, i cili do të mungojë për një kohë të gjatë për shkak të një lëndimi.
Sipas, “Football Transfers”, Linde pritet të mungojë nga fusha për dy deri në tre muaj për shkak të një dëmtimi muskulor.
Berisha aktualisht është pa klub, që prej largimit nga Empoli në verën e vitit të kaluar
Rikthimi në Suedi do të ishte një hap i natyrshëm për 36-vjeçarin, i cili më herët ka luajtur për Kalmarin në këtë kampionat.
Berisha ka bërë karrierë të gjatë në elitën e futbollit italian, duke mbrojtur portat e Atalantës, Lazios, SPAL-it, Torinos dhe Empolit, duke regjistruar gjithsej 163 ndeshje në Serie A.
Përfaqësuesi i Shqipërisë ka qenë një pikë kyçe për kombëtaren, me 80 paraqitje dhe pjesëmarrje në dy Kampionate Evropiane: Francë 2016 dhe Gjermani 2024. /Telegrafi