Ish-deputeti Gani Geci, ditë më parë, ka deklaruar se deputeti i Vetëvendosjes dhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka telefonuar një ditë para seancës së parë konstituive të Kuvendit për t’i kërkuar votën e vajzës së tij, Marigona Geci, për formimin e Qeverisë Kurti.
E për këtë çështje, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka një mesazh për Gani Gecin.
“Personalisht kam vlerësim për familjen Geci. Një mesazh miqësor për Gani Gecin, komunikimet që ndodhin në politike, edhe me sms edhe me thirrje, nuk është pjekuri politike që të shfaqen në opinion”, tha Peci, para mediave duke shtuar se edhe Gani Geci duhet pyetur a i ka dërguar dikujt nga Lista Guxo ndonjë sms, ku ka shprehur vullnetin për bashkëpunim.
Më herët, Geci ka deklaruar se Konjufca e kishte pyetur se çfarë kërkonte në këmbim të votës së Marigonës.
“Nuk ka tani, por ka pas. Nga sekserët e LLV-së. Është një prej deputetëve të VV-së të rrethit të Prizrenit. Dhe ish-kryetari i Kuvendit të LVV-së, zoti Glauk Konjufca, me datën 14, një ditë para seancës së parë me thirri në telefon. Dhe më ka thënë çfarë po kërkon që të na votosh për, që Margiona Geci ta votojë qeverinë e Albin Kurtit. Dhe unë i kam thënë unë nuk kërkoj asgjë, unë nuk shes votën time, unë nuk i shes 20 mijë e 500 vota që i ka marrë Marigona Geci në LDK”, ka thënë Geci. /Telegrafi/