Skuadra e vajzave të FC 2 Korriku është shpallur kampione e Kosovës në Ligën U17, pasi triumfoi në finalen e zhvilluar ndaj ekipit 16 Qershori nga Malisheva, me rezultat 2:0. Paraprakisht, këto dy skuadra e mbyllën kampionatin e rregullt si kampione në grupet e tyre respektive.
Ndeshja finale u zhvillua në Kampin e FFK-së në Hajvali. Goli i parë u shënua nga Loela Ahmeti, në minutën e 16-të, ndërsa epërsia u thellua në minutën e 82-të nga futbollistja Anisa Meha, që vulosi suksesin e merituar të skuadrës nga kryeqyteti.
Trofeun dhe medaljet për kampionet e Ligës U17 i ndanë Valbona Gashi Uka, shefe e futbollit të femrave në FFK dhe Lindita Cena, kryetare e Komisionit të Garave.