No menu items!

Feride Rushiti dhe QKRMT nominohen për çmimin Nobel për Paqe

Feride Rushiti, një prej emrave më të spikatur të të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) janë nominuar zyrtarisht për Çmimin Nobel për Paqe 2025.

Nominimi është bërë nga Magnus Jacobsson, anëtar i parlamentit suedez, në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm në mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës dhe torturës në Kosovë, transmeton IndeksOnline.

Në letrën e tij drejtuar Komitetit të Çmimit Nobel, Jacobsson vlerëson përkushtimin e Rushitit për trajtimin e pasojave të dhunës seksuale dhe torturës gjatë dhe pas Luftës së Kosovës (1998-1999).

Jacobsson e përshkruan nominimin e Rushitit dhe KRCT-së si një shembull frymëzues të guximit, dhembshurisë dhe përkushtimit për të promovuar paqen dhe drejtësinë në një botë të ndarë nga konfliktet. Ai thekson se puna e tyre përfaqëson thelbin e qëllimit të Çmimit Nobel për Paqe – krijimin e një të ardhmeje më humane dhe të drejtë.

Dr. Rushiti themeloi KRCT-në, organizatën e parë e këtij lloji në Kosovë, që ofron ndihmë mjekësore, psikologjike dhe juridike për mijëra të mbijetuar të luftës, duke siguruar që zëri i tyre të dëgjohet dhe të drejtat e tyre të respektohen.
Një nga arritjet më të mëdha të Dr. Rushitit është avokimi i saj i suksesshëm për njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale si viktima civile të luftës, që çoi në një kornizë ligjore të veçantë dhe reparacione financiare për të prekurit, një fitore historike e realizuar në vitin 2017. Ky ndryshim i rëndësishëm në Kosovë ka frymëzuar përpjekje globale për drejtësi dhe pajtim pas konflikteve.

Puna e saj për të përmirësuar standardet etike dhe ligjore për trajtimin e të burgosurve dhe për të forcuar të drejtat e njeriut ka sjellë një ndikim të thellë kombëtar dhe ndërkombëtar. Në vitin 2018, ajo u nderua me Çmimin Ndërkombëtar të Grave të Guximshme nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së për ndikimin e saj transformues në jetën e të mbijetuarve dhe rolin e saj udhëheqës në advokimin për të drejtat e njeriut./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU