Kombëtarja e Kosovës U15 e ka zhvilluar sot një ndeshje miqësore me futbollistë nga regjioni i Luginës, përkatësisht nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Kjo ndeshje u organizua si pjesë e një projekti të nisur nga Federata e Futbollit të Kosovës, me qëllim që t’u jepet mundësia futbollistëve të rinj shqiptarë nga këto treva që të tregojnë talentin e tyre.
Kjo iniciativë synon të zbulojë talentet në trevat shqipfolëse që jetojnë matanë kufirit, duke iu hapur rrugë që ata të jenë pjesë e kombëtares dardane në të ardhmen.
Ndeshja më shumë shërbeu si një formë vëzhgimi për stafin teknik, i cili do të ndjekë nga afër formën e këtyre talenteve.
Përzgjedhësi i Kosovës U15, Ilir Nallbani, tha se kjo është mënyra më e mirë për të krijuar mundësi që Kosova të ketë sa më shumë alternativa në përzgjedhjen e futbollistëve, derisa trajneri i regjionit të Luginës, Jeton Rexhepi u shpreh i lumtur për këtë bashkëpunim, për të cilin tha se do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Edhe futbollistët nga Lugina u shprehën mirënjohës për këtë mundësi, derisa nuk e fshehën dëshirën që në të ardhmen të veshin fanellën dardane.
Ky është vetëm fillimi i këtij projekti të FFK-së, i cili pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke përfshirë organizimin e aktiviteteve të tjera të ngjashme dhe bashkëpunime me shqiptarët kudo që janë.
https://ffk-kosova.com/lajmet/FFK-hap-dyert-p%C3%ABr-talentet-nga-Lugina,-Kosova-U15-zhvilloi-miq%C3%ABsore-me-regjionin-e-Lugin%C3%ABs