Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ka mohuar se iu kanë bërë oferta deputetëve Anton Quni dhe Duda Balje në këmbim të votës për Albulena Haxhiun.
Quni kishte thënë se dy deputetë të kësaj partie janë në ‘‘fokus të veçantë’’ të interesimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se ata kontaktohen edhe nga ndërmjetësues.
Por, këtë formë të komunikimit me deputetët e partive tjera e ka mohuar Pacolli.
“E kam dëgjuar deklaratën e Qunit. Ai ka deklaruar që përmes një personi, që jeton diku jashtë Kosovës, i ka dhënë këtë ofertë. Ne z. Quni e shohim në Parlament, kështu që nëse ne i bëjmë ofertë direkte deputetëve, ne shkojmë në mënyrë direkte te deputetët. Ka deputetë edhe brenda VV-së edhe partive tjera që kanë komunikim të mirë me njëri-tjetrin. Edhe ne gjejmë deputetin që ka komunikim më të mirë më dikë edhe i themi “fol me të, shihe ku qëndron”. Po nuk organizojmë dikë prej jashtë”, ka pretenduar Pacolli në Tëvë1.
Ndërkaq, për deklaratën e Baljes, e cila tha se përmes personave të tjerë i kanë ofruar pozitën e profesoreshës në Shkup në këmbim të votës për Haxhiun, Pacolli tha se s’është e vërtetë.
“As ajo s’është e vërtetë”, tha Pacolli.
“Një tentativë të tillë ne s’e bëjmë. Ne kemi diskutuar hapur me zonjën Balje dhe i kemi treguar çfarë mund ne t’i ofrojmë dhe i kemi dëgjuar kërkesat e saj”.
Me ‘komunikim të hapur’, Pacolli e kishte fjalën për një takim të Baljes në Zyrën e Kryeministrit me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.