Javën e ardhshme pritet të përfundojë raporti i ekzaminimit psikiatrik për Naim Murselin, i cili është duke u mbajtur në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë. Kështu ka konfirmuar për IndeksOnline drejtori i institutit, Shpend Haxhibeqiri.
“Javën e ardhshme pritet të përfundojë raporti i ekzaminimit psikiatrik për Naim Murselin”, ka deklaruar Haxhibeqiri për IndeksOnline.
Dorëzimi i këtij raporti është arsyeja për shtyrjen e seancave gjyqësore ndaj Murselit dhe të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt, të cilat fillimisht ishin paraparë të mbaheshin më 2 dhe 9 korrik. Në këto seanca ishte planifikuar të fillonte dëgjimi i dëshmitarëve, por procesi është pezulluar për shkak të kërkesës së Institutit të Psikiatrisë Forenzike për kohë shtesë.
Ekzaminimi psikiatrik është kërkuar nga mbrojtja e Naim Murselit, e cila ka pretenduar se i pandehuri ka shfaqur shenja të paqëndrueshmërisë mendore. Deri tani, në seancat e zhvilluara, përfshirë edhe shqyrtimin fillestar, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e Liridona Ademajt për motive hakmarrjeje dhe përfitimi financiar, përmes një sigurimi jetësor në Suedi në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Në këtë plan, ai dyshohet se ka përfshirë edhe dy persona të tjerë – Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve u kishte premtuar shumën prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.
Vrasja ka ndodhur më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht rasti ishte paraqitur si grabitje, por hetimet e mëvonshme zbuluan se bëhej fjalë për një vrasje të planifikuar.