Drita do të zhvillojë sonte ndeshjen vendimtare ndaj Kauno Zalgiris në kuadër të ndeshjes së kthimit të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë të luajtur në Lituani, kampionia e Kosovës do të kërkojë fitore para tifozëve të saj për të siguruar kalimin në raundin e dytë të garës më prestigjioze evropiane për klube.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani arriti të nxjerrë një rezultat të favorshëm në përballjen e parë, ku Blerim Krasniqi realizoi golin e barazimit në minutën e 82-të, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00, ndërsa Drita synon të shfrytëzojë përkrahjen nga tribunat për të vazhduar aventurën evropiane.
Fituesi i kësaj përballjeje do të sigurojë kualifikimin në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa skuadra e eliminuar do të vazhdojë garimin në Ligën e Konferencës.
Formacionet zyrtare:
FC Drita (4-2-3-1): Maloku – B. Krasniqi, Dabiqaj, Bytyqi, Jorgo – Balaj, Limaj – Ovouka, B. Krasniqi, Manaj – Jashari
Kauno Žalgiris (4-1-4-1): Svedkauskas – Moutachy, Todoroski, Lekiatas, Konatar – Baldasara – Ribeiro, Slivka, Benchaib, Ourega – Oliveira


