Ka përfunduar me një tjetër viktimë ngjarja e rëndë kriminale e ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit të Shqipërisë, ku një 35-vjeçar vrau babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën.
Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, pas lirimit të pengut falë ndërhyrjes profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijoi negociatat me autorin për ta bindur që të dorëzohej dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Megjithatë, pavarësisht negociatave intensive që zgjatën prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë. Rreth orës 16:35, ai dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.





