Takimi i delegacionit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të kryesuar nga z. Sali Berisha, me Eurodeputetin Michael Gahler, drejtues i Misionit të Vëzhgimit të Parlamentit Europian për zgjedhjet në Shqipëri
Bruksel, 3 Qershor 2025
Delegacioni i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari z. Sali Berisha, zhvilloi një takim të rëndësishëm me eurodeputetin Michael Gahler, drejtues i Misionit të Vëzhgimit të Parlamentit Europian për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri dhe koordinator i grupit parlamentar të EPP në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
Z. Berisha e falënderoi z. Gahler për përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe për drejtimin profesional dhe objektiv të misionit vëzhgues të PE në farsën elektorale të 11 Majit 2025. Ai theksoi se përkushtimi i eurodeputetëve si z. Gahler për demokracinë, sundimin e ligjit dhe standardet zgjedhore është thelbësor për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Gjatë takimit, z. Berisha dhe z. Gahler ndanë shqetësimin e thellë për situatën alarmante në të cilën u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku:
• Të gjithë liderët kryesorë të opozitës, z. Berisha, z. Meta dhe z. Mediu, u përballën me persekutim politik dhe ndjekje të montuara penale gjatë vitit zgjedhor duke dëmtuar rëndë partitë opozitare dhe opozitën në përgjithësi;
• Pati shpërdorim masiv të burimeve publike, përfshirë bonuset për pensionistët për votë, falje të gjobave për vota, punësime për vota, legalizime, leje ndërtimi për vota dhe tenderime për votë në funksion të fushatës së Partisë Socialiste;
• Sistemi i patronazhimit u riaktivizua dhe perfeksionua si polici politike për të ushtruar presion mbi administratën publike dhe qytetarët, duke kontrolluar vullnetin e zgjedhësve dhe ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor.
Diskutimi u përqendrua në shqetësimin serioz për përfshirjen e grupeve kriminale dhe karteleve të drogës në zgjedhje, ku sipas të dhënave të dokumentuara nga opozita:
• 28 kandidatë të Partisë Socialiste janë mbështetur nga grupe kriminale në 10 qarqe të vendit;
• Këto grupe janë koordinuar nga Ergys Agasi, i emëruar nga Kryeministri Rama për të bashkëpunuar me rrjete kriminale që kanë marrë në kontroll portet dhe hekurudhat e vendit, për trafik droge dhe veprimtari të tjera të jashtëligjshme;
• Nërtimet masive në Tiranë dhe qytete të tjera po përdoren për të pastruar paratë e krimit të organizuar, përmes individëve të lidhur me banda kriminale, ndihmuar nga drejtoresha e lejeve të ndërtimit, vartëse direkte e Edi Ramës, e emëruar nga banda e Elbasanit e cila njihet për lidhjet e ngushta me ministrin Taulant Balla, dhe Edi Ramën, përmendur edhe në përgjimet ndërkombëtare SKY/Encrochat.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte manipulimi i votës së diasporës, ku u theksua se është shkelur e drejta kushtetuese e mijëra shqiptarëve jashtë vendit për të votuar lirshëm. Z. Berisha theksoi përmasat e frikshme të manipulimit të kësaj vote nga rrjeti i patronazhistëve të Partisë Socialiste dhe mungesën totale të transparencës në procesin e administrimit dhe numërimit të saj.
Z. Berisha nënvizoi se rezultati i zgjedhjeve nuk reflekton vullnetin e qytetarëve shqiptarë, dhe se opozita do të vazhdojë betejën e saj për transparencë dhe zbardhje të plotë të shkeljeve, përmes mbledhjes dhe dokumentimit të mijëra provave, që do t’u përcillen institucioneve të BE-së dhe organizmave ndërkombëtarë.
Ai kërkoi mbështetjen e z. Gahler dhe europarlamentarëve për sigurimin e votës së lirë në Shqipëri si themeli i çdo procesi demokratik dhe kusht për ecurinë e mëtejshme të vendit në rrugën e integrimit europian.
Z. Gahler garantoi se do të ndjekë çështjen e Shqipërisë me objektivitet dhe prioritet, në emër të misionit të tij, dhe se do të mbështesë çdo përpjekje për përmbushjen e standardeve demokratike dhe kritereve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në takim merrnin pjesë: Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, Kryetarja e LDG, Albana Vokshi dhe Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku.