Gani Dreshaj:Pse Rama dhe Vuçiç nuk e duan një integrim të plotë në BE

Pse Rama dhe Vuçiç nuk duket se e duan një anëtarësim të vërtetë në BE

Ish-deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, ka reaguar me një analizë kritike ndaj politikave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me procesin e integrimit evropian.

Sipas Dreshajt, prej vitesh qytetarëve të Shqipërisë dhe Serbisë u premtohet një e ardhme evropiane, ndërsa anëtarësimi në Bashkimin Evropian paraqitet si qëllim strategjik dhe reformat si të pakthyeshme. Megjithatë, ai thekson se realiteti në terren ngre pikëpyetje serioze.

“Në vend që të përshpejtojnë përmbushjen e kritereve për anëtarësim të plotë, Rama dhe Vuçiç po promovojnë një model të integrimit të pjesshëm – treg të përbashkët dhe Schengen pa anëtarësim të plotë. Kjo paraqitet si pragmatizëm politik, por në thelb shmang transformimin e domosdoshëm demokratik,” shkruan Dreshaj.

Anëtarësimi në BE – kufizim i pushtetit

Sipas tij, anëtarësimi i vërtetë në BE nënkupton drejtësi të pavarur, ndarje reale të pushteteve, institucione kontrolli funksionale, transparencë në financat publike, luftë efektive kundër korrupsionit dhe media të lira.

“Me fjalë të tjera, BE-ja do të thotë kontroll mbi pushtetin. Dhe pikërisht këtu qëndron dilema kryesore për këta dy liderë,” thekson Dreshaj.

Ai kujton se raportet ndërkombëtare prej vitesh evidentojnë probleme serioze në sundimin e ligjit, pavarësinë institucionale dhe lirinë e medias në të dy vendet, ndërsa reformat shpesh mbeten vetëm në nivel deklarativ.

Retorika nuk mjafton

Dreshaj vlerëson se të flasësh për Evropën është e lehtë, por reformimi i thellë i sistemit të pushtetit është shumë më i vështirë. Sipas tij, një proces i sinqertë integrimi kërkon forcim real të institucioneve të pavarura, transparencë të plotë në qeverisje, ndërtim besimi në drejtësi dhe tolerancë ndaj kritikës dhe medias së lirë.

“Përndryshe, integrimi i pjesshëm shndërrohet në një zgjidhje komode që shmang ndryshimet thelbësore,” thekson ai.

Qytetarët paguajnë çmimin

Sipas Dreshajt, pasojat e kësaj qasjeje i vuajnë qytetarët, përmes emigrimit masiv të të rinjve, largimit të profesionistëve, rënies së besimit në institucione dhe pasigurisë për të ardhmen.

“Europa për qytetarët nuk është retorikë politike, por shpresë për drejtësi, siguri dhe barazi para ligjit,” shkruan ai.

Mesazh i drejtpërdrejtë

Në fund, ish-deputeti i AAK-së thekson se nëse Rama dhe Vuçiç e duan vërtet Evropën, duhet të dëshmojnë gatishmëri për të kufizuar pushtetin e tyre, për të pranuar kontrollin institucional dhe për të ndërtuar një sistem realisht të pavarur.

“Integrimi i pjesshëm nuk mund të zëvendësojë transformimin demokratik. Europa kërkon reforma – jo fjalë,” përfundon Dreshaj./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU