Për të gjashtën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë kryetarin e tij, pasi kandidatura e Albulena Haxhiut u rrëzua sërish me vetëm 57 vota “për” nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), larg shumicës së thjeshtë prej 61 votash të nevojshme për ta kaluar, raporton Gazeta Sinjali.
Përkundër dështimeve të njëpasnjëshme, VV vazhdon të qëndrojë pas emrit të vetëm që ka propozuar deri tani – Albulena Haxhiu – edhe pse në radhët e saj ka edhe 47 deputetë të tjerë, disa prej të cilëve, sipas opozitës, do të kishin më shumë gjasa të siguronin votat e nevojshme nga subjektet e tjera politike.
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, theksoi përfshirjen e komuniteteve pakicë në votat “pro”, por jo edhe të subjekteve shqiptare.
“Ne kemi vota për, s’mund të votojmë për të tjerët, sepse kaq na kanë dhënë qytetarët… 57 vota të deputetëve ‘për’, dhe vlen të theksohet se janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet pakicë në ato vota. Por, mungon që votat e subjekteve shqiptare të marrin pjesë të zhbllokojnë. Te votat kundër pati rënie, 41 vota kundër“.
Ai shtoi se partia e tij ka përmbushur obligimin kushtetues për të propozuar kandidatin.
Nga ana tjetër, kritikat nga opozita ishin të ashpra. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e quajti dështimin e VV-së si “të turpshëm”, duke akuzuar Albin Kurtin se po sakrifikon Haxhiun për interesa personale politike.
Bllokada është për Albin Kurtin, sepse ai vetë s’po mundet me u zgjidh kryeministër, e po e sakrifikon Albulena Haxhiun. Dojnë me ba me zor Haxhiun, nuk kalon ajo… Nuk mundesh 7 herë me provu të njëjtin njeri.”
Edhe nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ia atriboi dështimin vetëm VV-së, duke u shprehur: “Përgjegjësia është e VV-së dhe vetëm e VV-së… Është çmenduri që me veprimin e njëjtë të presësh rezultate të ndryshme“.
Ajo theksoi se LDK nuk do të votojë as Haxhiun, e as ndonjë kandidat tjetër të propozuar nga VV, për sa kohë nuk ka marrëveshje politike.
“LDK ka refuzu bashkëpunimin me VV, por janë 13 parti të tjera… Nuk mundesh me imponu kandidatin, nuk jemi ne që kemi shkaktu ngërç“.