Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të xhiros së 18-të në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kampione, Drita ka barazuar 1:1 si mysafire në stadiumin “Liman Gegaj” ndaj Malishevës. Jorgo Pellumbi kaloi kampionët në fuqi në epërsi në minutën e 82-të, por Xhemail Ibishi siguroi një pikë për nikoqirët vetëm katër minuta më vonë. Pas këtij barazimi, Malisheva renditet e katërta me 27 pikë, ndërsa Drita është e pesta me 26 pikë.
Një tjetër ndeshje që u mbyll pa fitues ishte edhe ajo ndërmjet Dukagjinit dhe Ballkanit në Klinë, por këtu munguan edhe golat. Megjithëse të dyja ekipet ishin në kërkim të golit, asnjëra nuk u tregua efikase. Ballkani vazhdon të kryesojë tabelën me 33 pikë, ndërsa Dukagjini qëndron në vendin e tretë me 29 pikë.
Ndërkohë, Gjilani arriti një fitore të rëndësishme ndaj Prishtinës së Re, duke e mundur me rezultat 3:2. Edi Basa shënoi dy gola brenda pesë minutave për të dhënë epërsinë 2-0, ndërsa Senad Jarovic realizoi golin e tretë në minutën e 37-të. Megjithatë, mysafirët ngushtuan diferencën me golin e Toni Gomes pak para përfundimit të pjesës së parë për 3-1. Në pjesën e dytë, Gjilani ruajti kontrollin e lojës, ndërsa Prishtina e Re shënoi edhe një gol në minutat e fundit për rezultatin final 3-2.
Me këtë fitore, Gjilani ngjitet në vendin e gjashtë me 26 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbetet e fundit me 15 pikë.





