Një incident serioz i përdorimit të armës së zjarrit është regjistruar pasditen e së dielës në fshatin Damjan të Gjakovës, ku një person ka qëlluar dy herë me një armë të gjatë automatike të tipit AK-47, duke alarmuar banorët dhe duke mobilizuar njësitë policore.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rreth orës 16:30 të datës 04 maj 2025, Policia ka pranuar një informacion për të shtëna armësh në këtë fshat, pas së cilës në vendin e ngjarjes janë dërguar patrulla policore dhe njësia e hetimeve.
Në vendngjarje, zyrtarët policorë kanë hasur në dy gëzhoja, që dyshohet se janë shkrepur nga një armë automatike e tipit AK-47. I dyshuari, Kreshnik Thaçi, 33-vjeçar është arrestuar dhe gjatë intervistimit ka pranuar se kishte qëlluar dy herë me armë. Ai ka deklaruar se pas gjuajtjes, nga frika e Policisë, ishte larguar drejt një fushe të hapur, ku pretendon se e ka hedhur armën, por nuk ka mundur të tregojë vendndodhjen e saktë.
Pavarësisht kërkimeve intensive nga ana e Policisë në zonën e përshkruar, arma nuk është gjetur. Megjithatë, me urdhër të prokurorit kujdestar, është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku janë gjetur dy karikatorë të zbrazët dhe mbështetësi i krahut (kondaku) që i përkasin një arme të gjatë të tipit AK-47.
Në lidhje me rastin janë intervistuar tre dëshmitarë, A. Th., S.Th. dhe Xh. Th.. Sipas dëshmive, të shtënat kanë ndodhur brenda oborrit të shtëpisë së të dyshuarit.
Prokurori i rastit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe ka iniciuar hetimet për veprat penale:
Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe
“Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Hetimet për identifikimin e armës dhe ndriçimin e plotë të rastit janë në vazhdim
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.