Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar masën e paraburgimit për të pandehurin B.K., për një periudhë prej një muaji, duke e akuzuar atë për dyshimin e kryerjes së veprave penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Zjarrvënia” dhe “Armëmbajtje pa leje”,
Ky vendim vje pas hetimeve lidhur me shpërthimin e veturës së Osman Hajdarit, drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ngjarje e cila ndodhi në një zonë të frekuentuar të Prishtinës.
Gazeta Sinjali ka mësuar se i dyshuari është Bajram Kiçmari.
Pas shqyrtimit të kërkesës, gjyqtari i procedurës paraprake arriti në përfundimin se ekzistojnë prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin se B.K. është autor i veprës penale dhe, duke pasur parasysh natyrën e krimit, caktimi i masës së paraburgimit është i nevojshëm për të garantuar zhvillimin e procedurës penale.
Gjykata konstatoj se në këtë fazë të procedurës ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së tij, ku përdorimi i eksplozivit në një zonë me qarkullim të madh të njerëzve, përbën rrezik të lartë për jetën e njerëzve dhe sigurinë publike, mund të nxitet motivi tek i pandehuri për tu arratisur nëse lihet në liri”.
“Gjykata vlerësoj se nga natyra dhe mënyra e kryerjes së veprave penale, rezulton se i pandehuri B.K. ka vepruar në mënyrë të planifikuar, të qëllimshme dhe me motiv financiar, gjë që e bënë të dukshëm rrezikun e përsëritjes së veprave penale. Veprime të tilla, të vënies së eksplozivit në veturën e personit tjetër, në zona me qarkullim të dendur të njerëzve, pa motive personale vetëm me motive të pagesës, e bëjnë të pandehurin B.K. potencialisht të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme dhe për përsëritjen e këtyre veprave penale apo veprave penale më të rënda, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.