Një shtëpi në lagjen Kalabria në kryeqytet, e brenda së cilës banojnë disa banorë, sot ishte në rrezik të përfshihej nga zjarri. Për motive ende të panjohura, një 35-vjeçare dyshohet se i kishte vënë flakën shtëpisë, por që nga kjo e pësoi edhe vetë ajo. Gruaja u gjet pa ndjenja dhe në gjendje të rëndë në korridorin e shtëpisë, pasi u përfshi nga zjarri që ndezi vet, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka raportuar që nga mëngjesi lidhur me rastin teksa tani janë mësuar detaje të reja me atë se çfarë ka ndodhur rreth orës 04:00 në shtëpinë që ndodhet në rrugën ‘Rexhep Krasniqi’.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije për Sinjalin se e dyshuara është gjetur e shtrirë pa ndjenja në korridorin e shtëpisë dhe ajo ndodhej në rrezik për jetën. Të lënduar nga rasti kanë mbetur edhe dy persona të tjerë.
35-vjeçarja është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe e njëjta i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjike për shkak se jeta e saj është në rrezik.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente, me ç’rast zjarrfikësit kanë bërë lokalizimin dhe shuarjen në tërësi të zjarrit.
Po ashtu njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe zbulojnë motivet e mundshme që mund të kenë shtyrë viktimën të kryejë këtë vepër.
Me urdhër të prokurorit, lidhur me rastin kanë nisur hetimet për tri vepra penale ‘Zjarrvënie’, ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Vrasje e rëndë në tentativë’.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.