No menu items!

Grupi i Kumanovës kërkon reagim ndërkombëtar për dhunën në burgun e Idrizovës

Idrizovë, 26 Prill 2025 – Të dënuarit politikë të njohur si “Grupi i Kumanovës” i kanë drejtuar një letër disa organizatave ndërkombëtare për të denoncuar, sipas tyre, një akt të rëndë dhune shtetërore që ndodhi në burgun e Idrizovës në Maqedoninë e Veriut.

Në letrën e dërguar Raporto24 dhe adresuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Amnesty International, Human Rights Watch, Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës, të burgosurit pretendojnë se më 25 prill 2025, gjatë një vizite familjare, forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre dhe familjarëve të pranishëm, përfshirë gra shtatzëna, fëmijë dhe të moshuar.

Ata raportojnë se bashkëluftëtari i tyre, Demë Shehu, u dhunua dhe u largua me forcë pa asnjë shpjegim, ndërkohë që ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore apo vendndodhja.

Sipas grupit, incidenti përbën shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke përfshirë ndalimin e trajtimit çnjerëzor dhe ndalimit arbitrar. Në letër theksohet se ngjarja ishte e planifikuar dhe sistematike, ndërsa kërkesat për ndihmë mjekësore pas dhunës janë refuzuar.

Në këtë kuadër, “Grupi i Kumanovës” kërkon:

Një hetim të pavarur ndërkombëtar për ngjarjen, Ndëshkimin penal të autoriteteve përgjegjëse, Marrjen e masave urgjente mbrojtëse për të dënuarit dhe familjarët, Monitorimin e trajtimit të të burgosurve politikë, Sanksione diplomatike ndaj autoriteteve maqedonase në rast konstatimi të shkeljeve sistematike.

“Ne refuzojmë të nënshtrohemi dhe kërkojmë drejtësi”, përfundojnë të dënuarit në letrën e tyre./Raporto24

Letra e Plot👇

REAGIM DHE DENONCIM NDËRKOMBËTAR

Drejtuar:

Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)

Amnesty International

Human Rights Watch

Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut

Parlamentit Evropian

Këshillit të Evropës

Subjekti: Denoncim i shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe përdorimit të terrorit shtetëror nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut ndaj të dënuarve politikë dhe familjarëve të….

Genci Sefa

Esat Kafexholli

Sulejman Osmani

Fejzulla Rushiti

Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,

Ne, të dënuarit politikë të njohur si “Grupi i Kumanovës”, të cilët aktualisht vuajmë dënimin në burgun e Idrizovës në Maqedoninë e Veriut, ndjejmë obligim moral dhe ligjor të denoncojmë para jush një akt barbar dhe flagrant të dhunës shtetërore, i cili përbën shkelje të rëndë të të gjitha standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Më 25 prill 2025, gjatë një vizite të rregullt familjare në ambientet e burgut të Idrizovës — e lejuar me vendim të brendshëm dy herë në muaj — forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Maqedonisë së Veriut, të armatosura rëndë, ndërhynë me forcë brutale në sallën e vizitave, pa asnjë paralajmërim dhe në mungesë të çdo justifikimi ligjor.

Në prani të mbi 30 familjarëve, duke përfshirë gra shtatzëna, fëmijë të mitur dhe të moshuar, autoritetet policore ushtruan terror psikologjik dhe dhunë fizike, duke i neutralizuar të gjithë nën kërcënimin e armëve.
Në mënyrë të veçantë, bashkëluftëtari ynë Demë Shehu u dhunua dhe u largua forcërisht në prani të fëmijëve të tij, pa dhënë asnjë informacion mbi gjendjen e tij fizike dhe vendndodhjen e tij deri në këtë moment.

Ky akt brutal përbën një shkelje të rëndë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neneve 3, 5 dhe 8), që ndalojnë trajtimin çnjerëzor dhe degradues, ndalimin arbitrar dhe cenimin e jetës private dhe familjare.
Po ashtu, ky sulm përbën përdorim të forcës së tepruar dhe joligjore ndaj civilëve, për të cilin Maqedonia e Veriut duhet të mbahet përgjegjëse sipas standardeve të të drejtës ndërkombëtare.

Ne theksojmë se:

Shkeljet ishin të planifikuara dhe sistematike, duke tejkaluar karakterin e një incidenti të izoluar;

Familjarët tanë, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, janë subjekt aktual i traumës psikologjike dhe pasojave të rënda shëndetësore;

Kërkesat tona për ndihmë mjekësore u refuzuan në mënyrë të qëllimshme;

Autoritetet e burgut nuk kanë dhënë deri më sot asnjë sqarim zyrtar për këtë ndërhyrje të dhunshme dhe të pajustifikuar.

Në këtë kontekst, ne kërkojmë me forcë:

1. Një hetim të pavarur dhe të paanshëm ndërkombëtar mbi ngjarjen e datës 25 prill 2025 në burgun e Idrizovës;

2. Ndëshkimin penal dhe disiplinor të të gjithë autoriteteve përgjegjëse për këtë akt terrori shtetëror;

3. Zbatimin e masave urgjente mbrojtëse për të dënuarit dhe familjarët e tyre;

4. Ndërhyrjen e organizatave ndërkombëtare për të monitoruar trajtimin e të burgosurve politikë në Maqedoninë e Veriut;

5. Sanksionimin diplomatik të autoriteteve maqedonase nëse provat për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut konfirmohen.

Ne jemi dëshmitarë të gjallë të një sistemi që përdor represion dhe terror për të shtypur zërat kundërshtarë politikë. Ne refuzojmë të nënshtrohemi dhe kërkojmë drejtësi!

Në emër të “Grupit të Kumanovës”:

Burgu i Idrizovës, Maqedonia e Veriut
26 Prill 2025

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.