Haxhiu: Fëmijët kanë nevojë për 365 ditë vëmendje, mbrojtje por po ashtu edhe për kujdes

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Konferencën e Nëntë të Shëndetit, Mirëqenies, Edukimit dhe të Drejtave të Fëmijëve.

Sipas saj, pavarësisht përparimeve, pavarësisht përmirësimeve, arritjeve që kemi pasur gjatë kësaj periudhe kohore, fëmijët ende përballen me shumë sfida.

Prandaj, të drejtat e fëmijëve janë një nga fushat, ku dallimi ndërmjet asaj që shkruhet dhe asaj që zbatohet shihet shumë shpejt. Fëmijët nuk kërkojnë gjëra të pamundura. Ata kërkojnë të ndihen të sigurt. Të mos përbuzen. Të mos përjashtohen. Të mos stigmatizohen për varfërinë e familjes. Të mos mbeten pa ndihmë kur kanë vështirësi në të folur, në sjellje, në mësimnxënie apo në shëndet mendor. Të mos u thuhet “hajt se kalon” për diçka që kërkon kujdes profesional”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tutje ka thënë se një nga gabimet tona më të mëdha si shoqëri është se ndonjëherë presim që fëmija ta tejkalojë vetë atë, që as të rriturit nuk do të mund ta kalonin.

“Presim që të jetë i fortë, i qetë, i dëgjueshëm, i suksesshëm, pra presim që të përshtatet. Por, fëmija ka të drejtë edhe të ketë frikë. Ka të drejtë të jetë i hutuar. Ka të drejtë të mos dijë si ta shpjegojë atë që ndien përbrenda. Dhe mbi të gjitha, ka të drejtë të marrë ndihmë me kohë. Këtu fillon përgjegjësia jonë. Te aftësia për ta dëgjuar fëmijën para se të na flasë me krizë. Te aftësia për ta mbështetur prindin pa e gjykuar. Te aftësia për t’i dhënë mësuesit mjete, për t’i kthyer ligjet në shërbime dhe shërbimet në qasje të barabartë për secilin fëmijë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Kosova ka ndërtuar një bazë të rëndësishme ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, por, sipas saj, sistemi nuk matet me numrin e dokumenteve që prodhon, sistemi matet me atë që ndodh kur një fëmijë ka nevojë për ndihmë.

“A e di familja ku duhet të drejtohet kur ka nevojë? A reagon shkolla me kohë? A ka psikologë të mjaftueshëm? A ka shërbime të qasshme në komunë? A dëgjohet mendimi i fëmijës? A trajtohet fëmija me dinjitet? A mbrohet nga dhuna në shtëpi, në shkollë, në rrugë apo në hapësirën digjitale? Këto janë pyetje shumë konkrete dhe pikërisht për këtë arsye, puna juaj ka rëndësi. Hulumtimi psiko-social, përvoja klinike, puna me familje, puna me fëmijë, puna në shkolla dhe në komunitet, të gjitha këto e ndihmojnë shtetin të shohë më qartë dhe po ashtu të veprojë më drejt”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.

I falënderoj të gjithë profesionistët që punojnë me fëmijët, shpesh larg vëmendjes publike, por shumë afër nevojave reale të shoqërisë! Uroj që nga kjo konferencë të dalin ide të dobishme, propozime konkrete dhe bashkëpunime që vazhdojnë edhe pas përfundimit të saj! Në fund, urimi më i mirë për fëmijët në 1 Qershor është që sot, nesër, por edhe çdo ditë pas saj, të jemi më të përgjegjshëm dhe të jemi gjithmonë pranë tyre”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU