No menu items!

Hill: ShBA-ja s’do të ndërhyjë më si dikur – Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin vetë problemet

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, nuk pret që SHBA-ja të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë në të kaluarën

Sipas tij, ky rajon nuk është prioritet ditor për SHBA-në dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga brenda.

“Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”, thotë Hill.

Ai thekson se Kosova duhet ta çojë përpara themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë se edhe Serbia ka punë për të bërë, por nënvizon se ajo është duke ndihmuar Ukrainën – prioritetin kryesor në Evropë, sipas tij.

“Fakti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë”, thotë Hill.

BE-ja të angazhohet më shumë

Radio Evropa e Lirë: Ambasador Hill, jemi këtu në GLOBSEC 2025 në Pragë, ku tema kryesore janë siguria globale dhe përgjegjësia transatlantike. Si e shihni pozicionin e Ballkanit Perëndimor në strategjinë më të gjerë evropiane dhe çfarë roli mund të luajë Kosova në këtë kontekst?

Christopher Hill: Para së gjithash, mendoj se është shumë e qartë se Bashkimi Evropian e di se ka disa punë të papërfunduara, dhe se këto punë të papërfunduara janë në Ballkan. Mendoj se tani, ata [BE-ja] janë duke vlerësuar se si t’i përcaktojnë anëtarët e rinj. A t’i pranojnë një nga një, apo njëherazi? Ka shumë sfida dhe, sigurisht, janë duke marrë në konsideratë edhe çështjet e përafrimit.

Mendoj se Bashkimi Evropian duhet vërtet të angazhohet më shumë dhe të përfundojë disa punë të papërfunduara. Besoj se këtë po e shohim tani.

Radio Evropa e Lirë: Dje [12 qershor], këtu në GLOBSEC, thatë se është e vështirë të parashikohet politika e [presidentit amerikan, Donald] Trump, por unë prapë do të pyes: Çfarë lloj qasjeje duhet të presë Kosova nga administrata e tij e dytë?

Christopher Hill: Mendoj se do të ketë një përpjekje nga SHBA-ja për t’i nxitur vendet e Ballkanit që të fillojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Mendoj se koha kur vendet vinin te ne ose te ndonjë shtet perëndimor evropian për t’u ankuar për fqinjët e tyre, [ka mbaruar] dhe njerëzit janë lodhur nga kjo.

Dhe çështja kryesore, sigurisht, është se në botë po ndodhin edhe gjëra të tjera. Nuk jetojmë më në vitet 1990. Jemi në një epokë shumë ndryshe.

Sigurisht, e kuptojmë çështjen e Izraelit, problemin e madh me Iranin, që është enorm, çështjen e Gazës… dhe natyrisht për Evropën është çështja e Ukrainës dhe ajo që të gjithë po bëjmë për Ukrainën…

Ndaj, mendoj se koha kur një vend i Ballkanit vinte te ne për t’u ankuar për një vend tjetër të Ballkanit, [ka mbaruar], sepse njerëzit nuk kanë më kohë për këto gjëra. Ata duan të shohin modele bashkëpunimi brenda rajonit, dhe jo një vend që shkon te ndonjë anëtar i preferuar i komunitetit ndërkombëtar dhe i thotë: Na ndihmo!

Kosova dhe të gjitha vendet e Ballkanit t’i zgjidhin vetë problemet

Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara, historikisht, kanë qenë një nga aleatët kryesorë dhe më të fortë të Kosovës. A prisni që kjo të vazhdojë kështu, apo parashikoni ndonjë ndryshim në ton a prioritet?

Christopher Hill: Mendoj se, deri diku, kjo varet nga ajo që njerëzit në Kosovë duan të bëjnë. Mund të them se këto çështje në Ballkan janë shumë komplekse, por kompleksiteti i tyre e tejkalon interesin e njerëzve për t’i kuptuar.

Të shkosh në SHBA dhe të thuash: “I kemi të gjitha këto probleme me fqinjët tanë”, njerëzit do të përgjigjen: “Shikoni, të gjithë kanë probleme, zgjidhini vetë”.

Mendoj se pritjet janë që – pa pasur domosdoshmërisht ndërmjetës çdo ditë, pa u mbështetur gjithmonë në organizata joqeveritare apo miq – njerëzit të përpiqen vetë t’i zgjidhin problemet me fqinjët e tyre të afërt, sepse komuniteti ndërkombëtar, thjesht, është përqendruar në çështje të tjera.

Nuk po them që Ballkani nuk është i rëndësishëm. Siç e thashë, Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: “Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”

Kosova, ashtu si të gjitha vendet e Ballkanit, duhet vërtet të marrë përgjegjësi dhe t’i zgjidhë vetë problemet e saj.

Nuk mjaftojnë vetëm gjestet simbolike

Radio Evropa e Lirë: Së voni, Qeveria në detyrë e Kosovës ra dakord të strehojë përkohësisht deri në 50 migrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një marrëveshjeje për zhvendosje në një vend të tretë. Çfarë tregon ky veprim për afërsinë e Kosovës me interesat amerikane?

Christopher Hill: Mendoj se kjo tregon se Kosova ka interes të përafrohet me ShBA-në dhe të tregojë gatishmëri për ta ndihmuar atë në sfidat e saj.

Por, dua të theksoj se gjestet e tilla simbolike janë shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Megjithatë, duhet të shoqërohen me një qasje më të gjerë, e cila siguron se Kosova nuk është në listën e problemeve.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni në diçka konkrete?

Christopher Hill: Nuk kam diçka konkrete në mendje, përveç faktit që tashmë kanë kaluar mbi 25 vjet nga viti 1999 dhe duhet të them se e shoh si shumë zhgënjyese që është arritur kaq pak gjatë këtyre 25 vjetëve.

SHBA-ja më pak e angazhuar në Ballkan

Radio Evropa e Lirë: A prisni që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol aktiv në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, apo do të ishte më efektive të lihej BE-ja të udhëheqë?

Christopher Hill: Mendoj se ShBA-ja, prej vitesh, ka thënë se kjo është një çështje që, realisht, duhet ta zgjidhin evropianët. ShBA-ja ka pasur një të dërguar të posaçëm për disa vite, por, në rrethanat aktuale, do të prisja një angazhim më të kufizuar të drejtpërdrejtë, krahasuar me të kaluarën.

Prandaj, mendoj se ideja që ShBA-ja të jetë e përfshirë plotësisht çdo ditë në Ballkan, do të ndryshojë shumë. Do të shihni interesa biznesore të ShBA-së në Ballkan, do të ketë edhe aktivitete diplomatike, pa dyshim. Por, nuk do të prisja që SHBA-ja të ndërhynte dhe të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të njerëzve. Njerëzit do t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Keni thënë më herët se Qeveria e Kosovës mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për mungesën e përparimit në dialog. Për cilat veprime ose vendime specifike e kishit fjalën?

Christopher Hill: Kur mendoj për përgjegjësitë për adresimin e gjërave, mendoj në Marrëveshjen drejt normalizimit – të ashtuquajturën Marrëveshje e Ohrit – e cila mendoj se është një marrëveshje shumë e drejtë, e punuar me shumë kujdes me ndihmën e zotit [Mirosllav] Lajçak [ish-i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi].

Dhe, është mjaft zhgënjyese që nuk arrijmë të kuptojmë apo nuk arrijmë në pikën ku biem dakord për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ai bllokohet me çështje që janë më shumë propagandistike sesa reale, si për shembull: kush ka nënshkruar çka, dhe ngjashëm…

Ne duhet ta shohim atë marrëveshje të realizuar plotësisht dhe pjesë e saj është edhe ideja që serbëve në veri të Mitrovicës t’u garantohet një autonomi e kufizuar. Bëhet fjalë për një asociacion që merret me çështje si arsimi dhe spitalet, pra tema të kësaj natyre.

Modele të tilla ka në gjithë botën, sidomos në Evropë. Dhe, që kur kryeministri i atëhershëm [i Kosovës, Hashim] Thaçi e ka nënshkruar atë, ajo është dashur të zbatohet.

Pra, kjo është një çështje, por nuk po them se vetëm Kosova ka probleme. Edhe vendet e tjera, përfshirë Serbinë, duhet ta bëjnë pjesën e tyre.

Por, konkretisht, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, Kosova duhet të përqendrohet tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe të vazhdojë përpara prej aty. Serbia nuk po e sfidon territorin e Kosovës. Në fakt, të gjithë njerëzit në Ballkan flasin për territor, flasin për tokë. Por, problemi i vërtetë në Ballkan, që njerëzit duhet ta kuptojnë, nuk është toka – janë njerëzit.

Është çështje e thjeshtë: A duan njerëzit në Ballkan të qëndrojnë aty, apo duan të largohen diku tjetër? Deri më tani, vazhdon të ketë një valë emigrimi. Nuk është çështje toke – tokë ka mjaft. Problemi është nëse njerëzit duan të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre në Ballkan.

Flasim për normalizim, jo për njohje të ndërsjellë

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Serbia po bën mjaftueshëm [për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën]?

Christopher Hill: Mendoj se të gjithë kanë përgjegjësi. Por, koha kur të huajt thoshin ‘po bëni mjaft’ apo ‘nuk po bëni sa duhet’ [ka kaluar] – nuk do të hyj në atë debat. Besoj se secili e di mirë se çfarë duhet të bëjë.

Radio Evropa e Lirë: Në vitin 2021 keni thënë se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë do ta zhbllokonte potencialin evropian të Serbisë…

Artikilli i Plot👇

https://www.evropaelire.org/a/hill-shba-kosova-serbia-dialogu/33442259.html

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.