Një histori e trishtë nga kufijtë e mbyllur të Shqipërisë (1944–1990)
Nga viti 1944 deri në tetor të vitit 1990, përmes kufirit tokësor të Shqipërisë kanë tentuar të arratisen 9.220 persona, së bashku me 4.472 të afërm të tyre – gra, fëmijë dhe familjarë të tjerë. Nga këta, 956 kanë humbur jetën në përpjekje për të kaluar kufirin,shkruan Raporto24
Të dhënat u bënë publike nga Ministri i Brendshëm i kohës, Hekuran Isai, më 20 nëntor 1990 – një rrëfim që pasqyron ashpërsinë e një regjimi që e shihte largimin nga vendi si akt armiqësor dhe e trajtonte me masa ekstreme.
Kufijtë ishin të blinduar, të mbikëqyrur rreptësisht nga patrulla të armatosura, ndërsa një nga aleatët më të rëndësishëm të strukturave të sigurisë ishte qeni i policisë. Që nga viti 1950, me krijimin e “Repartit 190”, Shqipëria nisi trajnimin sistematik të qenve për përdorim në ndjekje, sinjalizim dhe kapjen e personave që tentonin të arratiseshin. Rreth 200 qen patrullonin vazhdimisht vijën kufitare, duke zbuluar çdo përpjekje për ikje apo hyrje ilegale.
Qeni nuk ishte vetëm një kafshë ndihmëse – ai u shndërrua në një simbol të vigjilencës së sistemit. Në rast se ndonjë prej qenve sëmurej apo dilte jashtë shërbimit, raportimi bëhej menjëherë deri në nivelet më të larta të komandës, madje deri tek zëvendësministri i Brendshëm.
Pas dekadash kufijsh të mbyllur, vrasjesh dhe frike, këto fakte mbeten një kujtesë e dhimbshme e një epoke kur liria e lëvizjes ishte e ndaluar – dhe kafsha më besnike e njeriut shndërrohej, pa dashur, në pengesën e fundit drejt saj./Raporto24