Prishtinë – Vendimi i fundit i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me transportin publik është në kundërshtim me ligjin, pasi nuk ka një plan të aprovuar të transportit dhe nuk është dërguar në Ministrinë e Infrastrukturës për verifikim ligjor.
Zv/ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës nuk ka as rregullore të miratuar për transportin, ndërsa çdo plan i tillë nuk mund të ndikojë në linjat ndërurbane.
“Transportuesit e udhëtarëve me autobus për linjat ndërurbane të relacionit Prishtinë – Podujevë dhe anasjelltas veprojnë sipas rendit të udhëtimit të miratuar nga ministria. Këtë nuk mund ta ndryshojë as Komuna e Prishtinës e as ndonjë komunë tjetër në Kosovë. Një gjë të tillë mund ta bëjmë vetëm ne si ministri,” ka deklaruar Durmishi.
Ai gjithashtu ka treguar se ka zhvilluar takime me zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe këshilltarë të kryetarit, ku i ka informuar për hapat e nevojshëm për një zgjidhje të ligjshme. Njëra nga mundësitë e propozuara ishte një marrëveshje mes Prishtinës dhe Podujevës për rregullimin reciprok të transportit urban dhe urbanoperiferik.
“Sot gjatë ditës kemi kërkuar që urgjentisht të shfuqizohet ky vendim. Po presim që Komuna e Prishtinës të reflektojë dhe ta shfuqizojë deri të hënën. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të veprojmë në bazë të përgjegjësive dhe kompetencave ligjore që kemi,” ka paralajmëruar zv/ministri.
Vendimi i Komunës së Prishtinës ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht nga transportuesit ndërurbanë, të cilët kërkojnë respektimin e rregulloreve aktuale të transportit. Ministria e Infrastrukturës mbetet në pritje të një përgjigjeje nga Komuna e Prishtinës përpara se të ndërmarrë masa ligjore.