Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Haifa për emisionin Balkan Talks, profesor Jehuda Hamovitz, ekspert i menaxhimit dhe diplomacisë në Universitetin e Haifës, foli mbi situatën e fundit të sigurisë në Izrael pas sulmeve ajrore iraniane.
– Advertisement –
Ai tha se Irani është një kërcënim për të gjithë botën, jo vetëm për Izraelin dhe sipas tij ky operacion është thjesht faza e parë për t’i dhënë fund kësaj situate.
“Sapo jam kthyer nga strehimorja ku u futëm, pasi raketat po vinin nga Irani dhe u detyruam të strehoheshim brenda,” tha Hamovitz.
Duke komentuar sulmet izraelite ndaj Iranit, ai theksoi:
“Irani është një kërcënim për të gjithë botën, jo vetëm për Izraelin. Së paku prej më shumë se 20 vitesh, që nga momenti kur nisën programin bërthamor, ata kanë kërcënuar Izraelin. Ata e kanë deklaruar publikisht dëshirën për ta eliminuar Izraelin, duke e quajtur ‘djall i vogël’, ndërsa SHBA-në si ‘djall të madh’, nga këndvështrimi i tyre ideologjik.”
Hamovitz shtoi se Irani është afër të ketë armë bërthamore me qëllim përdorimi kundër Izraelit. “Ne nuk do ta lejojmë këtë. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka të nevojshme për ta ndalur.”
Ai kujtoi se Presidenti amerikan Donald Trump është përpjekur të arrijë një marrëveshje me Iranin, por pa sukses, pasi, sipas tij, “Irani nuk ka treguar kurrë vullnet për bashkëpunim”.
“Irani po na sulmon përmes Hamasit, Hezbollahut dhe Houthive në Jemen. Është koha që kjo të marrë fund. Ky operacion është thjesht faza e parë për t’i dhënë fund kësaj situate,” përfundoi Hamovitz.