No menu items!

Izraeli ia rrënon shtëpinë palestinezo-amerikanit të dyshuar për sulm, reagon ShBA-ja

Izraeli u kritikua nga Shtetet e Bashkuara të enjten, kur ia shkatërroi shtëpinë familjare një palestinezo-amerikani të akuzuar për përfshirje në të shtëna nga të cilat një Izrael u vra dhe dy të tjerë u plagosën në Bregun e pushtuar Perëndimor, raporton agjencia Reuters.

Muntasir Shalabit iu ngrit aktakuzë në një gjykatë ushtarake izraelite për një sulm në maj afër qytetit Nablus, ku studenti Yehuda Guetta u qëllua për vdekje.

Pasi ankesa e familjes së të dyshuarit në një gjykatë izraelite kundër shkatërrimit të shtëpisë ishte e pasuksesshme, ushtria izraelite tha se vila në Turmus Ayya, fshat ku jetojnë shumë palestinezo-amerikanë, u shkatërrua përmes shpërthimit të kontrolluar.

Izraeli thotë se rrënime të këtilla i parandalojnë sulmuesit e mundshëm palestinezë. Palestinezët dhe grupet për të drejtat e njeriut e kundërshtojnë këtë politikë, duke e cilësuar si ndëshkim kolektiv.

Ndaj veprimit të Izraelit reagoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në këtë shtet. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga hapat e njëanshëm që i përkeqësojnë tensionet dhe i dëmtojnë përpjekjet për ta avancuar zgjidhjen e negociuar me dy shtete”, thuhet në deklaratë.

“Këtu sigurisht përfshihet rrënimi ndëshkues i shtëpive palestineze. Siç kemi thënë shumë herë, shtëpia e një familjeje të tërë nuk duhet të rrënohet për veprimet e një individi”, tha një zëdhënës i Ambasadës së ShBA-së në Izrael.

Zyra e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, refuzoi që ta komentonte deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Kritikat e ShBA-së rreth politikës izraelite ndaj palestinezëve ishin të rralla gjatë presidencës së ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, i cili ofroi përkrahje edhe për vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat cilësohen ilegale nga shumë shtete.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.