Trajneri i Fenerbahces, Jose Mourinho, raportohet se po synon sulmuesin e Arsenalit, Leandro Trossard, si pjesë e përpjekjeve për të riformësuar sulmin e klubit turk.
Me largimin e disa lojtarëve kyç, Fenerbahçe po kalon një rindërtim të rëndësishëm në fazën e sulmit.
Sipas medias turke Fotospor, Arsenal mund të jetë i hapur për të lënë të lirë Trossardin, veçanërisht pasi kontrata e tij aktuale po hy në vitin e fundit.
Mendohet se ‘Topçinjtë’ do të konsiderojnë një shitje nëse marrin një ofertë në rangun e 20 milionë eurove.
Gjithashtu, Ajansspor raporton se Fenerbahce po shton përpjekjet për të siguruar nënshkrimin e Trossardit.
Ai luajti në 56 ndeshje për Arsenalin sezonin e kaluar dhe shënoi dhjetë gola, duke qenë një lojtar i besueshëm në skuadër nën drejtimin e Artetës.
Megjithatë, me objektiva të rinj në listë, Trossard mund të mos ketë një rol kaq kryesor në sezonin e ardhshëm, duke e bërë kalimin në Turqi një opsion tërheqës si për klubin ashtu edhe për vetë lojtarin.
Largimi i mundshëm i Trossard përkon me kërkimin aktiv të Arsenalit për sulmues të rinj.
‘Topçinjtë’ kanë vënë në krye të listës sulmuesin e Sporting Lisbonës, Viktor Gyokeres, dhe janë në bisedime për të arritur një marrëveshje me sulmuesin suedez./Raporto24/