Boksieri britanik Anthony Joshua rikthehet sonte në ring për t’u përballur me shqiptarin Kristian Prenga, në një duel vendimtar që mund t’i sigurojë përballjen e shumëpritur me Tyson Furyn.
Meçi do të zhvillohet në Arabinë Saudite me fillim nga ora 23:00 dhe konsiderohet testi i fundit për Joshua para superduelit të planifikuar ndaj Furyt, një përballje që është diskutuar prej vitesh dhe që pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e boksit të peshave të rënda.
Joshua hyn në këtë sfidë me presionin e madh për të fituar, pasi çdo rezultat tjetër do të rrezikonte realizimin e meçit me bashkatdhetarin e tij. Përveç fitores, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe paraqitjes së ish-kampionit të botës, i cili synon të dëshmojë se është rikthyer në formën e tij më të mirë.
Në anën tjetër, Kristian Prenga shihet si kundërshtar që mund të shkaktojë befasi. Një fitore ndaj Joshua-s do ta shndërronte atë në një nga emrat më të komentuar në kategorinë e peshave të rënda, duke prishur njëherësh planet për superduelin Joshua–Fury.
Joshua dhe promotori i tij, Eddie Hearn, kanë përjetuar më parë një skenar të ngjashëm, kur në vitin 2019 britaniku u mposht papritur nga Andy Ruiz Jr., humbje që ndikoi ndjeshëm në karrierën e tij. Për këtë arsye, kampi i Joshua-s synon të shmangë çdo surprizë në sfidën e sontme.
Nëse Joshua arrin të triumfojë, pritet që menjëherë të intensifikohen përgatitjet për përballjen me Tyson Furyn, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që dy boksierët të dalin ballë për ballë pas meçit të sontëm.
Mbrëmja e boksit do të ofrojë edhe disa duele për tituj botërorë, ku Hamzah Sheeraz do të mbrojë titullin e Organizatës Botërore të Boksit në kategorinë super të mesme ndaj Simon Zachenhuber, ndërsa Josh Kelly do të mbrojë titullin e Federatës Ndërkombëtare të Boksit në kategorinë super të lehtë të mesme përballë Caoimhin Agyarkos.
KosovaPress





