Komisioni Evropian ka mohuar pretendimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se kishte zhvilluar një “bisedë të gjatë” me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë qëndrimit të tyre në Sevilje të Spanjës.
“Presidentja Von der Leyen pati një bisedë të rastësishme, spontane me presidentin Vuçiq në sallonin e pritjes para darkës zyrtare në Sevilje”, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Stefan de Keersmaecker, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetari në lidhje me deklaratën e Vuçiqit.
Presidenti serb kishte thënë për mediat pro-qeveritare se ai kishte folur me Von der Leyen për 30 minuta dhe se “asnjëherë më parë nuk kanë diskutuar kaq gjatë për bashkëpunimin dypalësh”.
Por Komisioni Evropian e ka hedhur poshtë këtë version të ngjarjes, duke sqaruar se bëhej fjalë për një shkëmbim të shkurtër dhe jo për një takim zyrtar.
“Ajo pati mundësinë të shkëmbente disa fjalë me shumë udhëheqës gjatë asaj ngjarjeje, përfshirë Presidentin Vuçiq. Prandaj, nuk ishte një takim zyrtar dypalësh”, tha zëdhënësi Keersmaecker, duke sqaruar natyrën e kontaktit mes dy liderëve.