No menu items!

KEK mbulon 83% të kërkesave të FSHU-së për energji elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) aktualisht është duke prodhuar rreth 400 MW/h energji elektrike përmes dy njësive gjeneruese – B1 dhe A5. Në total, prodhimi ditor i KEK-ut është 8208 MWh, nga 9856 MWh sa është kërkesa e deklaruar nga KESCO për Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), që do të thotë se KEK po mbulon rreth 83% të kësaj kërkese.

Duhet theksuar se në Termocentralin “Kosova B” – në njësinë B2, është duke u zbatuar një projekt kapital për rehabilitimin e turbinave, në vlerë mbi 56 milionë euro, që përfaqëson investimin më të madh në këtë termocentral në mbi 40 vite.

Ndërkohë, ekipet profesionale të KEK-ut janë duke punuar pa ndërprerje për të rikthyer në operim edhe një njësi tjetër në Termocentralin “Kosova A”, gjatë ditëve në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike në vend.
—————————————————————-

Qëndrim i KEK ndaj Deklaratave të Pabazuara

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) reagon me vendosmërinë më të lartë dhe shqetësim të thellë ndaj deklaratave të pabazuara, tendencioze dhe me pasoja të rënda për besimin dhe funksionimin e sektorit energjetik në vend. Dëshirojmë të sqarojmë në mënyrë të detajuar pikat kryesore të dezinformatave dhe të paraqesim fakte konkrete:

Lidhur me projektin 137.4 milionë € për Rehabilitimin dhe Modernizimin e njësisë A3:

·         Termocentrali Kosova A nuk ka përfituar asnjëherë nga ndonjë investim madhor për rehabilitim pas luftës, pavarësisht që prodhon rreth 35% të energjisë vendore.

·         Strategjitë e mëparshme parashikonin mbylljen e Kosova A, pa alternativë reale për zëvendësim.

·         Vetëm Strategjia e Energjisë 2023 e përfshiu rehabilitimin e thellë të së paku një njësie (në këtë rast A3) si investim të domosdoshëm.

·         KEK ka përcaktuar parametra të matshëm teknik (parametrat obligativ të performances) dhe ka shpallur tender konkurrues, jo diskriminues në të cilin mund të konkurrojnë në mënyrë të hapur të gjithë operatorët ekonomikë që plotësojnë kushtet dhe kriteret sipas Ligjit të Prokurimit Publik.

·         Të gjithë operatorët ekonomikë të kualifikuar do t’u jepet mundësia të bëjnë shqyrtimet e nevojshme dhe të japin propozimet teknike për arritjen e parametrave obligativ të performances (të cilat nuk negociohen). Në këtë rast, varësisht nga gjetjet e aplikuesve dhe propozimeve që ata japin, do të përcaktohet vëllimi përfundimtar i punëve.

·         Për më tepër, hartimi i dosjes për këtë projekt është bërë nga ekspertë të brendshëm dhe konsulencë ndërkombëtare të angazhuar nga USAID.

·         Ndërkohë, është deklaruar se pritet të aplikojnë 6 operatorë ekonomikë për këtë projekt. Lidhur me këtë ju bëjmë me dije se procesi i prokurimit për projektin e Rehabilitimit dhe Modernizimit të njësisë A3 është i menaxhuar përmes platformës zyrtare të e-prokurimit, e cila nuk lejon qasje në informacion mbi numrin e aplikuesve deri në momentin e hapjes zyrtare të aplikacioneve.

·         Prandaj, çdo deklaratë publike se “janë gjashtë operatorë ekonomikë që kanë aplikuar” në këtë fazë, është jo vetëm teknikisht e pamundur për t’u verifikuar, por përbën shkelje të parimeve të konfidencialitetit, konkurrencës së ndershme dhe integritetit të procesit të prokurimit publik.

·         KEK sh.a. ripërsërit përkushtimin e saj të plotë për realizimin me sukses të këtij investimi kyç, që do të garantojë përmirësimin e sigurisë operative, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe zgjatjen e jetës teknike të njësisë A3 për të paktën 20 vitet e ardhshme.

·         Çdo tentativë për të dezinformuar opinionin publik apo për të nënvlerësuar angazhimin tonë institucional është jo vetëm e papranueshme, por edhe dëmton besimin dhe stabilitetin e sektorit energjetik në vend.

Lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë:

·         Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) sqaron opinionin publik se nuk qëndrojnë deklaratat që pretendojnë se konsumatorët – konkretisht bizneset – po hezitojnë të nënshkruajnë kontratat me Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF).

·         Përkundrazi, nga lista e përgjithshme, deri më tani janë nënshkruar 55% e kontratave, me një ritëm pozitiv që dëshmon gatishmërinë e shumicës së konsumatorëve për të përmbushur obligimet e tyre ligjore.

·         Deklaratat e kundërta nuk përbëjnë vetëm keqinformim, por paraqesin edhe tentativë për të ndikuar qëllimshëm në moszbatimin e detyrimeve ligjore nga ana e konsumatorëve, gjë që rrezikon funksionimin e rregullt dhe stabilitetin e sektorit energjetik në vend.

·         Theksojmë se KEK sh.a., në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe rregulloret përkatëse të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), është caktuar si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) dhe është duke zbatuar me përpikëri dhe përgjegjësi të plotë institucionale të gjitha obligimet që rrjedhin nga ky mandat.

Sa i përket tymit gjatë startimit të njësisë A5 këtë mëngjes:

o   KEK sh.a. dënon deklaratat e pabazuara dhe tendencioze që janë bërë në opinion publik lidhur me procesin teknik të startimit të njësisë A5.

o   Çdo njësi me djegie linjiti, pas remontit, starton detyrimisht me naftë apo mazut – kjo është një praktikë standarde dhe teknologjikisht e pashmangshme në çdo termocentral të këtij tipi, brenda dhe jashtë vendit.

o   Çdo insinuatë për “përfitime” apo “shkelje” përbën keqinformim të rëndë dhe keqpërdorim të pozitës publike, me qëllim dëmtimin e reputacionit të KEK dhe ndikimin negativ ndaj opinionit qytetar.

o   Njësia A5 është tashmë plotësisht e stabilizuar, dhe emetimet janë normalizuar, ashtu siç është bërë me dije edhe përmes njoftimit zyrtar dhe pamjeve përkatëse.

Deklarime të pabazuara mbi remontet dhe eksportin e energjisë nga KEK sh.a.:

·         Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) dëshiron të sqarojë opinionin publik se deklarimet që pretendojnë se KEK, në emër të eksportit, ka sakrifikuar projektet e rehabilitimit të njësive prodhuese, janë tërësisht të pabazuara dhe tendencioze.

·         KEK nuk eksporton energji në dëm të konsumatorëve vendorë. Eksportet realizohen vetëm kur krijohen teprica të energjisë, pas përmbushjes së plotë të kërkesave të Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), dhe zakonisht gjatë orëve të natës, kur konsumi është minimal në nivel vendi dhe rajoni.

·         Sa i përket remonteve dhe investimeve kapitale:

o   Në Termocentralin Kosova B, për herë të parë pas 40 viteve, po zbatohet projekti kapital për rehabilitimin e turbinave në të dy njësitë prodhuese (njëra tashmë në implementim në njësinë B2), me një vlerë mbi 56 milionë euro.

o   Në Termocentralin Kosova A, pas 60 viteve operimi, është në fazë përgatitore projekti madhor për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3, me vlerë rreth 137 milionë euro. Ky projekt synon rritjen e sigurisë operative, kapacitetit prodhues dhe jetëgjatësi të njësisë për 20 vitet e ardhshme.

·         Të gjitha këto investime po realizohen nga buxheti vetanak i KEK sh.a., pa asnjë ndihmë të jashtme financiare, duke dëshmuar përkushtimin dhe përgjegjësinë institucionale për modernizimin e kapaciteteve prodhuese dhe garantimin afatgjatë të furnizimit me energji elektrike në vend.

·         Për më tepër, është planifikuar edhe investimi në filtrat elektrik nga Bashkimi Evropian për vitin 2026/27 në vlerë mbi 100 milionë euro, ku KEK tashmë ka kontribuar me mbi 20 milionë euro mjete vetanake për projektin e dilatimeve në kaldaja (i përfunduar), që ishin parakusht për fillimin e zbatimit të këtij projekti.

·         KEK sh.a. i bën thirrje të gjithë akterëve publikë që të shmangin keqinformimin dhe të mos dezinformojnë opinionin me deklarata të pabazuara, të cilat mund të ndikojnë negativisht në besimin ndaj sektorit energjetik të vendit.

Lidhur me pretendimet për çmimin prej 800 €/MWh:

·         KEK sh.a. dëshiron të sqarojë opinionin publik se pretendimet se konsumatorët në Kosovë kanë paguar 800 euro për megavat-orë energji elektrike janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë të bëjnë me përgjegjësitë e Korporatës

·         Që nga viti 2013, me ndarjen e tregut të energjisë dhe në përputhje me licencimin nga ZRRE, KEK sh.a. nuk ka më përgjegjësi për furnizimin me energji të konsumatorëve fundorë. Kjo përgjegjësi u është kaluar Furnizuesit të Shërbimit Universal, përkatësisht KEDS/KESCO.

·         KEK sh.a. është vetëm prodhues i energjisë elektrike dhe nuk cakton e as nuk zbatojnë tarifa për konsumatorët. Çdo pretendim që lidh çmimin e faturuar për qytetarët me KEK-un është i pabazuar dhe përbën dezinformim të opinionit.

·         Ftojmë të gjithë përfaqësuesit institucionalë dhe publikun që për çdo çështje lidhur me faturimin dhe tarifat për konsumatorët fundorë, t’i referohen entiteteve përgjegjëse, sipas licencimit përkatës të Zyrës së Rregullatorit për Energji

KEK sh.a. i bën thirrje të gjithë akterëve institucionalë, medieve dhe opinionit publik që të ndalojnë përhapjen e deklaratave të pabazuara, spekulimeve dhe dezinformatave që cenojnë imazhin e institucionit dhe stabilitetin e sektorit energjetik.

KEK sh.a. mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, profesionalizmit dhe zbatimit të ligjit, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe garantimit të furnizimit të sigurt dhe afatgjatë me energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.