Biznesmeni Ramiz Kelmendi ka bërë të ditur se ka angazhuar sektorët përkatës të shit-blerjes në kompaninë e tij për të mbështetur kultivuesit e shalqirit në rajonin e Istogut, pas dëmeve të shkaktuara nga breshëri.
Përmes një njoftimi, pronari i kompanisë Elkos Grup, Ramiz Kelmendi tha se është kërkuar organizimi i blerjes dhe tregtimit të këtij fruti, me qëllim që t’u dilet në ndihmë fermerëve të prekur, përcjell KosovaPress.
“Kam angazhuar sektorët përkatës të shit-blerjes në kompani, që pas dëmeve të shkaktuara pasdite në frutin e shalqirit, nga breshëri në rajonin e Istogut, të organizohen në mbështetje të tregtimit të këtij fruti, duke ju dalur në mbështetje kultivuesve”, ka shkruar Kelmendi.
Ai nuk ka dhënë më shumë detaje për masën e mbështetjes apo sasinë e prodhimit që pritet të blihet, por ka theksuar se iniciativa synon t’u lehtësojë pasojat ekonomike fermerëve të prekur nga moti i lig.
Një stuhi me breshëri ka goditur pasditen e sotme komunën e Istogut dhe disa rajone të tjera të vendit, duke dëmtuar dëme të mëdha në bujqësi.
KosovaPress merr vesh se ndër fermerët e prekur është edhe Nazmi Blakaj, me mbi 7 hektarë të mbjellë me shalqi.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, nesër do të zhvillojë një vizitë në komunën e Istogut për të takuar fermerët e prekur nga breshëri dhe për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore.
Sipas njoftimit, gjatë vizitës, Ministri do të bisedojë me fermerët, do të vizitojë zonat e prekura dhe do të koordinohet me autoritetet lokale lidhur me vlerësimin e situatës në terren. Sipas nevojës, vizita do të vazhdojë edhe në komuna të tjera të prekura nga breshëri.


