Argjentina u kualifikua në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës pas fitores ndaj Kepit të Gjelbër, sensacionit të këtij turneu.
Lionel Messi, Lisandro Martinez dhe autogoli i Diney Borges shënuan për Argjentinën, ndërsa Deroy Duarte dhe Sidny Lopes Cabral realizuan dy golat e Kepit të Gjelbër.
Goli i dytë i Kepit të Gjelbër ishte padyshim një nga momentet më të bukura të ndeshjes. Në minutën e 103-të, kur Argjentina po udhëhiqte 2-1, mbrojtësi i majtë Sidny Lopes Cabral mori topin në anën e majtë të fushës.
Ai u zhvendos drejt qendrës me këmbën e djathtë dhe lëshoi një goditje fantastike, duke e dërguar topin në cepin e sipërm të portës së Emiliano Martinez. Goli e barazoi rezultatin në 2-2 dhe i dha Kepit të Gjelbër shpresë për një tjetër surprizë të madhe.
https://x.com/FabrizioRomano/status/2073206789412094383?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E2073213388092543459%7Ctwgr%5Ea56d56178f54c392068f6174e95a77486504502f%7Ctwcon%5Es2_&ref_url=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2Fkepi-i-gjelbert-u-eliminua-por-a-e-shenoi-lopes-cabral-golin-me-te-bukur-deri-me-tani-ne-kete-kampionat-boteror%2F
Sidny Lopes Cabral është 23 vjeç dhe ka lindur në Roterdam të Holandës. Ai iu bashkua Trabzonsporit nga Benfica gjatë kësaj vere, në një transferim që kapte vlerën e 7 milionë eurove.
Cabral ka zhvilluar 14 paraqitje me kombëtaren e Kepit të Gjelbër, ndërsa goli ndaj Argjentinës ishte i treti i tij me fanellën e përfaqësueses. /Telegrafi/


