No menu items!

Kërkimet për të zhdukurit në Teksas vazhdojnë, teksa numri i viktimave rritet në 51

Qindra shpëtimtarë janë angazhuar për t’i kërkuar njerëzit e zhdukur në pjesën qendrore të Teksasit në Shtetet e Bashkuara, pas përmbytjeve të befasishme që shkaktuan vdekjen e 51 njerëzve, përfshirë 15 fëmijë.

Zona më e goditur është qarku Kerr, ku kanë humbur jetën 43 njerëz dhe ku 27 fëmijë mbeten të zhdukur nga një kamp i krishterë për të rinj, i vendosur përgjatë lumit Guadalupe.

“Puna vazhdon dhe do të vazhdojë deri sa të gjithë të gjenden”, premtoi Larry Leitha, sherifi i qarkut të Kerrit.

Viktima janë konfirmuar edhe në pjesë të tjera të shtetit, përfshirë qarqet Travis dhe Tom Green

Niveli i ujërave shkatërruese dhe me lëvizje të shpejtë u rrit për rreth 8 metra në lumin Guadalupe brenda vetëm 45 minutave para agimit të së premtes, duke përmbytur shtëpi dhe automjete.

Rreziku nuk ka kaluar ende, pasi reshjet e shiut vazhduan t’i godasin vendbanimet pranë San Antonios të shtunën, dhe paralajmërimet për përmbytje të shpejta mbetën në fuqi.

Shpëtimtarët përdorën helikopterë, varka dhe dronë për të kërkuar viktimat dhe për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në pemë apo në kampe të izoluara nga rrugët e shkatërruara.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, premtoi se autoritetet do të punojnë pa ndërprerje dhe tha se zona të reja po kontrollohen ndërsa uji po tërhiqet. Ai shpalli të dielën si ditë lutjeje për shtetin.

“I bëj thirrje çdo banori të Teksasit të bashkohet me mua për t’u lutur këtë të diel, për jetët e humbura, për ata që ende janë të zhdukur, për rimëkëmbjen e vendbanimeve tona dhe për sigurinë e atyre që janë në vijën e parë”, tha ai në një deklaratë.

Elinor Lester, një vajzë 13 vjeçe, tha se “kampi u shkatërrua plotësisht”.

Ajo ishte një nga qindra pjesëmarrësit në kamp veror që u godit nga përmbytjet.

“Një helikopter u ul dhe filloi të merrte njerëz. Ishte shumë e frikshme”, tregoi ajo.

Zyrtarët shtetërorë të menaxhimit të emergjencave kishin paralajmëruar qysh të enjten se Teksasi perëndimor dhe qendror do të përballej me reshje të dendura dhe rrezik për përmbytje gjatë ditëve në vijim.

Megjithatë, parashikimet “nuk parashikuan sasinë e reshjeve që pamë”, tha W. Nim Kidd, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave në Teksas, në një konferencë për shtyp të premten në mbrëmje. /REL

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.