Një 29-vjeçar nga Vushtrria, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për një vepër të rëndë penale, është arrestuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Egzon Barllajn (29-vjeçar), ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar nga autoritetet e Gjermanisë.
Arrestimi i tij u bë mbrëmjen e 13 qershorit, rreth orës 23:30, gjatë një pike kontrolli të njësive të Stacionit Policor Jugu në rrugën “Shkupi” në Prishtinë.
Sipas informatave që posedon Sinjali, Barllaj kërkohej nga drejtësia gjermane nën dyshimet për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, një nga veprat më të rënda të parashikuara nga legjislacioni penal.
Pas verifikimeve, Policia e Kosovës ka njoftuar menjëherë ILECU-n, përmes kanaleve zyrtare të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe Prokuroren kujdestare për Krime të Rënda, e cila ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
I dyshuari është dërguar në Qendrën e Ndalimit, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të mëtejshme që lidhen me kërkesën ndërkombëtare për arrestimin e tij.
Arrestimi i Barllajt konsiderohet një tjetër rast i bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare në lokalizimin e personave të kërkuar për vepra të rënda penale përtej kufijve të Kosovës.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.


