No menu items!

Këshilli i Sigurimit të OKB-së sot me seancë për Kosovën, Gërvalla udhëtoi drejt Nju-Jorkut

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK)

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut, pritet të nisë nga ora 16:00.

Në raportin e publikuar, përqendrimi është te pjesa veriore e vendit dhe situatës së sigurisë atje, ku Guterres thotë se “atmosfera në Kosovën Veriore mbetet e tensionuar dhe potenciali për përshkallëzim vazhdon”.

Ai u ka bërë thirrje palëve të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese.

Shefi i OKB-së ka kritikuar edhe, siç thuhet, “veprimet e njëanshme”, ndër të cilat përmend mbylljen e institucioneve të financuara nga Serbia dhe hapat drejt rihapjes së urës së Mitrovicës, si edhe kufizimet ndaj mallrave serbe dhe zbatimi i rregullores së re për përdorim të valutave.

Këto veprime, Guterres thotë se “rrisin tensionet dhe gërryejnë besimin midis komuniteteve dhe midis komuniteteve dhe institucioneve”.

Veprime të tilla jo vetëm që prishin jetën e përditshme dhe të drejtat socio-ekonomike të të prekurve, por gjithashtu rrezikojnë përparimin dhe stabilitetin kolektiv që janë thelbësore për një të ardhme paqësore dhe të begatë të përbashkët nga të gjithë”, ka thënë Guterres në këtë raport, midis tjerash.

Në këtë seancë pritet të marrë pjesë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Kjo e fundit u nis dje drejt Nju-Jorkut, raporton IndeksOnline.

Në njoftimin zyrtar të MPJD-së është bërë e ditur se gjatë kësaj seance, Gërvalla do të shpalosë arritjet e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë procesin e demokratizimit, zhvillimin ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe situatën aktuale në komunat veriore të Republikës së Kosovës.

“Gjithashtu, Gërvalla do të flasë edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe sfidat që ato paraqesin për paqen dhe stabilitetin në rajon” thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.