Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një përleshjeje të dhunshme që ka ndodhur gjatë natës në qytetin e Podujevës, ku është përdorur një armë e ftohtë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:38 në rrugën “19 Qershori”, përballë lokalit “Shisha Zone”.
Sipas burimeve brenda Policisë, të përfshirë në incident janë:
Zgjim Llugaliu (24 vjeç) – i dyshuar për lëndim të rëndë trupor dhe mbajtje të paautorizuar të armës; është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurores. Labinot Haziri (28 vjeç) – i lënduar gjatë përleshjes. Nexhat Haziri (37 vjeç) – i dyshuar për lëndim të lehtë trupor; është intervistuar nga hetuesit. Herolind Hasani (26 vjeç) – është marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit. Edonis Rushiti dhe Arton Haziri – dyshohet se kanë qenë të përfshirë, por ende nuk janë intervistuar.
Të lënduarit kanë marrë ndihmën e parë në Emergjencën e Podujevës, ndërsa dy prej tyre janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm, nën mbikëqyrje policore.
Nga vendi i ngjarjes është sekuestruar një thikë, që dyshohet të jetë përdorur gjatë sulmit.
Rasti është në fazë hetimore dhe autoritetet janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
(Burimi: Gazeta Sinjali)