Lojërat e fatit janë aktivitete të ndaluara me ligj, por shteti po vazhdon të sfidohet nga persona e grupe kriminale që ushtrojnë këtë veprimtari ilegale. Për bixhoz të paligjshëm, Policia ka arrestuar të enjten dy persona në Podujevë, që u kapën në flagrancë, raporton Gazeta Sinjali.
Bastisjet u kryen në rrugën “Met Podujeva”, ku pas kontrollit në dy lokale, të dyshuarit që dyshohet se organizonin lojëra fati u prangosën.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari i parë që përfundoi në pranga është Bledar Salihu (29-vjeçar), ndërsa i dyshuari i dytë është Hasret Latifi (38-vjeçar).
Në rastin e parë, në lokalin ku u kap Salihu duke zhvilluar këtë veprimtari, në cilësi të provave materiale, policia ka sekuestruar shtëpizë kompjuteri, llaptopa, tri aparate për printim të tiketave, tiketa të shtypura dhe rreth 300 euro para të gatshme.
Kurse në lokalin tjetër, ku Latifi dyshohet se organizonte lojëra fati, janë sekuestruar katër aparate të lojërave dhe mbi 1 mijë e 300 euro.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.