Tre zyrtarë policorë të Njësisë në Gjakovë janë suspenduar gjatë ditës së sotme ( e mërkurë) në kuadër të një hetimi penal për përfshirje në veprat “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Emrat e të suspenduarve janë:
Rozana Nokaj
Detjion Hasani
Altin Azemi
Ndërsa, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë një zyrtar policor.
“Duke ju referuar kontrollit të realizuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjakovë dhe me autorizim të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin për vepren penale “ndihma gjatë kryerjes së veprës penale”. Të njëjtit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin për media.
Lidhur me rastin e njëjtë dy zyrtarë policorë hetohen në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare”
Si pjesë e procedurave administrative IPK ka rekomanduar suspendimin e këtyre zyrtarëve (tre zyrtarëve policorë) të përfshirë si të dyshuar në këtë rast.
Katër zyrtarë policorë janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, pas kontrolleve të realizuara nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në kuadër të një hetimi penal për përfshirje në veprat “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Kontrollet janë kryer në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në dy lokacione të ndryshme në regjionin e Gjakovës, me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake.
Gjatë bastisjeve, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar disa prova materiale që pritet të kenë rëndësi për vazhdimin e procedurës hetimore.
“Gjatë realizimit të kontrolleve, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar disa prova materiale që mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore. Deri në këtë fazë të hetimit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve katër (4) zyrtarë policorë të dyshuar në praninë e mbrojtësve të tyre ligjor. Nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore Gjakovë pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera procedurale në përputhje me mandatin ligjor dhe autorizimet përkatëse. Pasi që veprimet hetimore janë akoma duke u ndërmarrë, për masat dhe veprimet tjera që do të ndërmerren mediet do të njoftohen më vonë”, thuhet në njoftim.