Pas sulmit të ndodhur në Banjskë, Policia e Kosovës për një kohë të gjatë ka ndërmarrë veprime për mbylljen e rrugëve ilegale në pjesën veriore që lidhin Kosovën me Serbinë.
https://www.facebook.com/share/v/1BefCsfMRp/
Mbyllja e këtyre rrugëve që u shërbenin kontrabandistëve, përmes të cilave kishte hyrë në Kosovë edhe grupi i Milan Radojiçit në Banjskë, është bërë nga Policia përmes vendosjes së masave të mëdha të dheut në to, por kur kjo nuk ishte parë si mjet efikas, në disa pozicione kishte hapur gropa të mëdha që pamundësonin kalimin ilegal të kufirit me automjete.
Veriu.info ka marrë informacione se disa prej këtyre rrugëve të bllokuara nga Policia e Kosovës, po zhbllokohen nga KFOR-i. Fjala është për rrugët ilegale pranë kufirit me Serbinë, të cilat policia i kishte bërë të pakalueshme përmes hapjes së gropave të mëdha në pozicione strategjike.
Veriu.info ka qendruar në njërën prej rrugëve ilegale në Zubin Potok, rreth 200 metra afër kufirit me Serbinë, ku shihet se si gropa e madhe e hapur nga Policia e Kosovës është mbyllur nga KFOR-i me makinerinë e tyre, duke e bërë të kalueshme për automjete, rrjedhimisht duke iu dhënë një mundësi të re kontrabandistëve për qarkullim.
Jozyrtarisht nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar lajmin se gropa e hapur prej tyre për pamundësimin e kalimit ilegal të kufirit është mbyllur nga KFOR-i.
Janë dërguar edhe pyetje në zyrën për informim të KFOR-it, duke i pyetur se pse kanë bërë mbylljen e kësaj grope të hapur nga Policia e Kosovës, kush ka urdhëruar ose me kërkesë të kujt është bërë mbyllja e saj dhe se a kanë pasur parasysh faktin se ky veprim mund të ju hap mundësi të re kontrabandistëve nga Serbia të sjellin ilegalisht mallra në Kosovë?
KFOR-i në një përgjigje të dhënë ka pranuar se ka bërë mbylljen e kësaj grope, të cilën me rastin e dërgimit të pyetje e kemi ilustruar me fotografi.
Në lidhje me pyetjet tuaja, KFOR-i ka mandat të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në anën e Kosovës të Vijës Kufitare Administrative. Këto aktivitete kryhen në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 dhe në përputhje me Marrëveshjen Teknike Ushtarake.
Gjatë muajve të kaluar, janë hapur llogore në afërsi të Vijës Kufitare Administrative. Për të shmangur çdo rrezik të tensioneve dhe keqkuptimeve përgjatë Vijës Kufitare Administrative, KFOR-i, pasi informoi të gjitha palët, mori përsipër t’i mbushë ato llogore”, thuhet në përgjigjen e zyres për informim të KFOR-it, duke shtuar se janë të gatshëm t’i ofrojnë mbështetje Policisë e Kosovës në rast se do të dëshironin të vendosin pengesa në terren në anën e Kosovës.
“KFOR-i mbetet i përkushtuar për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë”, përfundon përgjigja e zyres për informim të KFOR-it.