Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, i ka reaguar deputetit të Vetëvendosjes, Hekuran Murati, i cili kundërshtoi propozimin e LDK-së për qeveri tranzicionale, duke thënë se ki është një “skenar ogurzi” që e kthen vendin në kohën e UNMIK-ut.
Kica-Xhelili tha se nëse Vetëvendosjes s’i përshtaten zgjidhjet që po u ofron partia e saj atëherë le ta zgjedhin kryekuvendarin e qeverinë.
Ajo tha se paradite po e fyejnë LDK-në e pasdite po e lusin për koalicion.
“Hekuran, zgjedhe more zotëri kryekuvendarin e qeverinë, kush po ju ndal? Çka po prisni nga ne nëse zgjidhjet tona nuk po ju përshtaten? Paradite shpifni e fyeni LDK-në që pasdite e lusni me nderime. As nuk kemi nevojë t’iu demantojmë më sepse ju përgënjeshtroni veten në sinkron”.
Deputetja e LDK-së e akuzoi Vetëvendosjen për imponim të proceseve arbitrare për procedurën e votimit të fshehtë.
“Qe 11 herë impononi kandidat të papranueshëm për Kryetar të Kuvendit dhe interpretoni procese arbitrarisht. Flisni në përsëritje të mërzitshme se si numrat për qeveri i keni, por jo për Kryetar Kuvendi.Kosova është në krizë institucionale me Kuvend të bllokuar nga ju, çka e bën qeverinë tranzicionale zgjidhje pragmatike”.
Ajo tha se “zgjedhjet e reja, të mbajtura kaq shpejt pas atyre të 9 shkurtit 2025, vetëm do ta thellonin polarizimin politik dhe rrisin apatinë e votuesve, me të drejtë”.
“Derisa ju bllokoni e shpërtheni në retorika banale, ne ofrojmë zgjidhje brenda kornizave realiste. Meqë të duket zgjidhja skandaloze, DIL e tregoju sinqerisht qytetarëve se si apetitet tuaja janë më të rëndësishme se stabiliteti politik, pangopësia juaj determinuese në kapje të shtetit, e si gjuha e juaj skandaloze sot ju ka bërë partnerë të padurueshëm politikë”.