Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë ka folur për çështjen e vendimit të ZRRE-së për tregun e hapur të energjisë që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.
Kurti ka drejtuar kritika ndaj Odës Ekonomike të Kosovës të cilët për sot kanë paralajmëruar bllokim të rrugëve si shenjë kundërshtimi të vendimit të ZRRE-së.
Përderisa ne po flasim këtu,Oda Ekonomike e Kosovës që do të duhej të qëndronte pranë bizneseve për tu përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokoj rrugët magjistrale me një kërkesë të vetme shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut. Këtë po e kërkojnë me justifikimin se për 1 vit do të përgatiten duke injoruar faktin se për nga ana e tyre nuk kanë bërë asnjë përgatitje për tetë vitet e shkuara”, tha Kurti.
Kurti tutje u shpreh se shtyrja e këtij vendimi do të ketë kosto shtesë në faturat e gjithsecilit.
Ajo çfarë Oda Ekonomike e Kosovës nuk po ju tregon është se plotësimi i kërkesës së tyre nuk e zgjidh problemin, por veçse e bartë koston e energjisë së këtyre 1200 ndërmarrjeve te faturat e secilit prej jush”, tha kryeministri në detyrë.
Kurti shtoi se kjo Odë ka marrë vendim të vendos barrikada në hyrje të Prishtinës.
“Kanë vendosur të vendosin barrikada në hyrje të Prishtinës, por koha e barrikadave ka kaluar dhe i kemi hequr ato ku kanë qenë. I bëjmë thirrje të gjitha odave dhe bizneseve të fillojnë të mendojnë në mënyrë të mençur për efiçiencën dhe optimizmin e shfrytëzimit të energjisë”, tha Kurti.
Ai tutje ka thënë se nga vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike preken rreth 1200 ndërmarrjeve në Kosovë, në mesin e tyre përfshihen edhe rreth 300 ndërmarrje që janë prodhuese e të cilat preken më shumë nga zbatimi i këtij vendimi
“I kuptojmë brengat e tyre në lidhje me sfidat e kësaj faze të tranzicionit por është e rëndësishme të theksojmë se ky proces nuk është i befasishëm. Ligji për energji është miratuar në vitin 2016, faza e parë e liberalizimit ka filluar në vitin 2017 me daljen e tri ndërmarrjeve të mëdha në treg, ndërkaq faza e dytë është shtyrë disa herë në tetë vitet e fundit. Shqipëria dhe Maqedonia e kanë zbatuar këtë reformë vite më parë e duke përfshirë një pjes të madhe të bizneseve,kurse bizneset tona kanë përfituar nga tarifat e rregulluara dhe subvencione direkte të faturave të bizneseve në vlerë 26 milionë euro”,ka thënë Kurti.
Kryeministri në detyrë ka shtuar se kësisoj edhe pse sfida ekziston, bizneset tona kanë krijuar avantazh konkurrues dhe kanë pasur më shumë kohë se të tjerët për tu përgatitur për ndikimin e daljes në treg.
Kurti theksoi se kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë pranë prodhuesve vendor. /Telegrafi/