No menu items!

Koha për zgjim ekonomik: Kosova ka nevojë për prioritete që sjellin rezultate

Nga Besnik Vasolli – Drejtor Ekzekutiv, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV)

Pas zgjedhjeve të vitit 2025, Kosova po përballet me sfida të panevojshme – formim të ngadalshëm të institucioneve, pasiguri politike dhe, si gjithmonë, marrëdhënie ndërkombëtare të brishta. Por ndryshe nga herët e kaluara, qeveria e re duhet të vendosë zhvillimin ekonomik si një nga top-prioritetet e saj.

Në një kohë kur investitorët kërkojnë stabilitet, bizneset vendore kanë nevojë për mbështetje konkrete, dhe të rinjtë kërkojnë më shumë mundësi, është jetike që institucionet e reja të vendosin prioritete të qarta dhe të guximshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Nuk ka më vend për strategji në letër – duhet kaluar nga fjalët në vepra.

Kosova duhet të heqë dorë nga varësia ndaj ndihmave dhe donacioneve, dhe të fokusohet në potencialin dhe kapacitetet e veta zhvillimore. Në këtë drejtim, propozoj tri shtylla kyçe për një të ardhme më të mirë ekonomike, duke theksuar edhe rolin e komunave në këtë vizion.

1. Qasje kombëtare për investime

Kosova nuk mund të përballojë më struktura të fragmentuara dhe iniciativa të pakoordinuara për tërheqje investimesh. Është e domosdoshme krijimi i një strukture unike dhe funksionale – një “one-stop shop” – që do të shërbente si adresë e vetme për investitorët vendorë, të diasporës dhe të huaj.

Lajmi pozitiv është se janë ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim. Ligji i ri për Investimet e Qëndrueshme tashmë është miratuar dhe parasheh themelimin e Agjencisë së Investimeve dhe Eksporteve (AIE). Kjo agjenci pritet të koordinojë përpjekjet për tërheqjen e investimeve dhe promovimin e eksportit.

Po ashtu, është lansuar “Dritarja e Investimeve të Diasporës”, një skemë garancie kredie prej rreth 100 milionë euro, që mundëson financim deri në 3 milionë euro për bizneset e diasporës, me garanci deri në 2 milionë euro nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.

Qeveria e re duhet ta fuqizojë këtë qasje kombëtare. AIE duhet të ketë autoritet të plotë ndërinstitucional, duke siguruar një adresë të qartë për investitorët dhe eliminim të pengesave burokratike. Projektet strategjike duhet të marrin përparësi për infrastrukturë, stimuj fiskalë dhe leje të posaçme. Një mekanizëm i tillë efikas do të dërgonte sinjalin e duhur për klimën e investimeve në vend.

2. Tregu i punës: më shumë trajnim, më shumë prodhim

Rinia e Kosovës ka talent dhe ambicie, por shpesh i mungon përgatitja praktike që kërkohet nga tregu i punës. Arsimi universitar nuk po përkthehet mjaftueshëm në aftësi të nevojshme për industri.

Politikat e punësimit duhet të lidhen ngushtë me kërkesat e sektorëve në rritje, si teknologjia e informacionit, bujqësia dhe industria përpunuese. Kjo kërkon investim në arsim profesional, zgjerim të skemave duale shkollë-punë dhe mbështetje për trajnime që pasqyrojnë nevojat reale të tregut.

Strategjia e Punësimit 2024–2028 tashmë e thekson zhvillimin e aftësive dhe reduktimin e hendekut mes arsimit dhe kërkesës së tregut. Implementimi i saj duhet përshpejtuar, duke përfshirë bizneset private në hartimin e kurrikulave dhe trajnimeve.

Në të njëjtën kohë, prodhimi vendor duhet të mbështetet fuqishëm – nga subvencionet për teknologji të reja, ofrimi i tokës industriale me kushte të favorshme, lehtësi doganore për lëndët e para, e deri tek rritja e kapaciteteve të energjisë nga burime të ripërtëritshme, për të përballuar kostot gjithnjë në rritje.

Çdo investim prodhues që krijon vende pune duhet trajtuar si “investim strategjik”. Kjo do të rrisë konkurrueshmërinë, do të ulë varësinë nga importet dhe do të krijojë mundësi reale për të rinjtë brenda vendit.

Përfundim

Vetëm përmes prioriteteve të qarta dhe reformave të guximshme, Kosova mund të arrijë zgjimin ekonomik që i nevojitet me urgjencë. Shteti duhet të ndërtojë institucione funksionale, të afërta me biznesin dhe të orientuara drejt rezultateve të prekshme.

Rruga përpara nuk është e lehtë, por me qasje pragmatike, bashkëpunim ndërinstitucional dhe aktivizim të kapaciteteve vendore – ajo është e mundur.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.