No menu items!

“Kom me ju përcjell, s’e kaloni rrethin pa ju vra” – e reja kërcënon Policinë dhe tenton të hapë veturën zyrtare

Një ngjarje shqetësuese është regjistruar më 30 prill në Fushë Kosovë, ku një vajzë e re ka sfiduar rëndë Policinë e Kosovës, duke kërcënuar zyrtarët në detyrë dhe duke tentuar të hapë me forcë derën e veturës zyrtare.

Burime të besueshme të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rreth orës 12:20, një veturë që po qarkullonte në rrugën “Lidhja e Pejës” u ndalua nga patrulla policore pasi disa vajza, pasagjere në veturë, kishin dalë me trup jashtë nga dritarja e sipërme dhe po kërcenin, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në trafik.

Pas ndaljes, shoferja e veturës, Majlindë Maksuti-Morina, 21-vjeçare, ka refuzuar bashkëpunimin me Policinë dhe ka reaguar me tone të ashpra, duke e cilësuar ndërhyrjen si “abuzim” dhe duke thënë:

“Qetash jau thirri mixhën tem polic, se ju jeni hajna”.

Situata ka eskaluar kur e njëjta ka tentuar të hapë derën e veturës zyrtare të Policisë në përpjekje për t’u përballur fizikisht me zyrtarët. Ajo ka injoruar urdhrat e shumtë verbalë për t’u kthyer në veturën e saj dhe ka vazhduar të jetë agresive dhe jo-bashkëpunuese.

Për shkak se disa nga pasagjeret nuk posedonin dokumente identifikimi dhe mungonte një zyrtare femër në patrullë, Policia ka vlerësuar të arsyeshme që të gjithë të shoqërohen në Stacionin Policor në Fushë Kosovë.

Në stacion, pas shqiptimit të gjobës për kundërvajtje në trafik, Maksuti-Morina ka vijuar me sjellje kërcënuese dhe fjalor denigrues ndaj Policisë, duke deklaruar:

“Kom me jau përcjell Golf 8-shin e juve, kerr që të nalni kena me ju këqyr çka po boni, edhe nëse e kaloni rrethin e Ismetit pa ju vra, nuk e la”.

Prokurori kujdestar është njoftuar menjëherë për rastin dhe, për shkak të gjuhës kërcënuese ndaj zyrtarëve në detyrë dhe pengimit të procedurës zyrtare, ka marrë vendim që e dyshuara të dërgohet në mbajtje.

Rasti është cilësuar me seriozitet të lartë për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta dhe tentimit për ndërhyrje fizike ndaj Policisë. Autoritetet kanë nisur procedurat penale ndaj të dyshuarës për kanosje dhe pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.