Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit të Kuvendit e përjashton çdo pretendim për shkelje ligjore nga ana e subjektit të tij në lidhje me mënyrën e votimit për kryetarin e Kuvendit
Në një konferencë për media të mbajtur të premten, së bashku me kandidaten e VV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, Konjufca u shpreh se Gjykata ka qartësuar se propozimi për votim të fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkelje ligjore për sa i përket votimit të fshehtë. Çdo interpretim tjetër është ose keqlexim, ose qëllimisht i shtrembëruar,” tha Konjufca.
Vendimi i Kushtetueses i detyron të gjithë deputetët e Kuvendit të ri që brenda 30 ditësh të finalizojnë seancën konstituive, duke i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja.
Konjufca përsëriti thirrjen për bashkëpunim ndërpartiak, duke theksuar se Vetëvendosje është e gatshme të kontribuojë në një zgjidhje që respekton vullnetin qytetar dhe rregullat kushtetuese.