Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas ndërprerjes totale të prodhimit të energjisë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke e cilësuar situatën si një kolaps të qëllimshëm dhe të ndikuar nga interesa politike dhe mafioze.
Në një postim në Facebook, Haradinaj shkruan se Kosova sot fle në thëngjill dhe nuk ka energji, pasi sipas tij, të gjitha njësitë e KEK-ut kanë dalë jashtë funksionit dhe aktualisht nuk ka asnjë prodhim të brendshëm të energjisë elektrike.
“Kjo nuk është rastësi, por rezultat i një kolapsi të qëllimshëm, i diktuar nga direktiva politike dhe i ushqyer nga pazaret e tuxharëve të mafisë energjetike, të cilët sot kontrollojnë tregtinë me rrymë,” shkruan Haradinaj.
Ai akuzoi qeverinë aktuale për bllokimin e projekteve strategjike për vendin, përfshirë ndalimin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova C” dhe refuzimin e gazsjellësit amerikan, të cilat sipas tij ishin vendimtare për sigurinë energjetike të Kosovës.
Haradinaj shtoi se kjo situatë është krijuar për të favorizuar një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin, në dëm të qytetarëve.
“Pushtetin po e heton Prokuroria dhe do ta hetojë çdo gjë, por një gjë është e qartë: ky është një krim ndaj shtetit dhe askush nuk duhet të shpëtojë nga përgjegjësia – as vetë Kryeministri në detyrë,” përfundoi ai./Raporto24/