Shorti i hedhur sot në selinë e UEFA-s në Nion ka përcaktuar kundërshtarin e Kombëtares së Kosovës (femrat) në ndeshjet e ‘play-off’-it për kualifikim në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Vajzat Dardane do të përballen me Turqinë, në ndeshjet me sistem vajtje-ardhje, që do të zhvillohen më 24 dhe 28 tetor.
Kombëtarja e drejtuar nga Sami Sermaxhaj e përfundoi edicionin e Ligës C në vendin e dytë në grupin e saj, ku në ndeshjen vendimtare barazoi me Letoninë, duke i dhënë kësaj të fundit mundësinë e promovimit direkt në Ligën B.
Sipas formatit të garës, dy ekipet më të mira të vendeve të dyta në Ligën C përballen me dy ekipet më të mira të vendeve të treta nga Liga B, me synimin për të siguruar një vend në Ligën B për ciklin e ardhshëm të kualifikimeve.
Përballja me Turqinë paraqet një sfidë serioze për Dardanet, por gjithashtu një mundësi të mirë për të bërë hapin e pritur drejt rikthimit në Ligën B.