Pas fitores bindëse në ndeshjen e parë (7:1), Kombëtarja U19 e Kosovës barazoi 2:2 në ndeshjen e dytë miqësore ndaj përfaqësueses U19 të regjionit të Saksonisë (Gjermani), që u zhvillua sot në Kampin Nacional në Hajvali.
Për dallim nga ndeshja e parë, kësaj radhe Dardanët e rinj nuk arritën të paraqesin lojën e pritur në pjesën e parë, edhe për faktin që përzgjedhësi Albert Bunjaku u kishte dhënë hapësirë më shumë lojtarëve që nuk ishin titullarë në ndeshjen e parë.
Ishin sërish mysafirët që kaluan të parët në epërsi, kur në minutën e 5-të shënuan pas një gabimi të portierit Almir Sinanaj, i cili realizoi autogol. Ky gol i hershëm ndikoi në vetëbesimin e djemve dardanë, të cilët nuk gjetën ritmin e duhur dhe në minutën e 26-të pësuan edhe golin e dytë, kësaj radhe nga Huggo Edi Kaps.
Me rezultatin 0:2 u mbyll pjesa e parë, por në pjesën e dytë trajneri Bunjaku bëri disa zëvendësime të rëndësishme, duke futur në lojë disa prej futbollistëve titullarë të ndeshjes së parë. Kjo solli menjëherë ndryshim në lojën e Kosovës dhe vetëm një minutë pas rifillimit të pjesës së dytë, Rin Ahmeti realizoi për 1:2, pas një aksioni të shpejtë dhe kombinimi të mirë me bashkëlojtarët.
Kosova vazhdoi me presion të lartë dhe tentime për të barazuar rezultatin, por përkundër dominimit, veprimet individuale dhe mungesa e finalizimit mbajtën rezultatin të pandryshuar deri në minutën e 84-t. Megjithatë, një ndërhyrje e palejuar ndaj Rin Ahmetit brenda zonës solli penallti për Dardanët, të cilën me siguri e realizoi kapiteni Engjëll Krasniqi për të barazuar rezultatin në 2:2.
Me këtë rezultat u mbyll ndeshja e dytë miqësore, e cila shërbeu si test i mirë për përzgjedhësin Bunjaku për të parë më nga afër të gjithë futbollistët në dispozicion dhe për të eksperimentuar me skema të ndryshme taktike. Pavarësisht barazimit, Kosova U19 tregoi karakter dhe rikuperim të mirë në pjesën e dytë, duke vazhduar ndërtimin e një ekipi të qëndrueshëm për sfidat në vazhdim.
Deklaruan pas ndeshjes:
Përzgjedhësi Albert Bunjaku: Shumçka nuk funksionojë sot. Nuk shkoi ashtu siç e kemi dëshiruar ne, sidomos në pjesën e parë, por edh enë pjesën e dytë nuk e kishim posedimin e topit dhe kemi pasur shumë probleme në vrapimin në thellësi të zonës së kundërshtarit. Zonat kanë qenë shumë larg njëra-tjetrës dhe kjo më ka treguar se kemi ende shumë punë në të ardhmen. Ka pasur edhe disa gjëra që nuk më kanë pëlqyer, por ato janë interne dhe do t’i rregulloj me lojtarët. Por, realisht nuk më ka pëlqyer loja e sotme. Kemi pasur shumë vrapime dhe driblime vetjake të futbollistëve. Por, këto janë çështje për analizë, të cilat do t’i bëjmë dhe në grumbullimin e radhës t’i tregojmë futbollistëve çfarë nuk ka qenë mirë. Duhet të punojmë ende në ndërtimin e lojës, presingun dhe në aspektin taktik. Në shtator i kemi dy ndeshje tjera miqësore me Shqipërinë që është një kundërshtar shumë më i fortë se ky që kishim sot dhe aty duhet të funksionojë gjithçka prej minutës së parë deri në të fundit. Megjithatë, mendoj se kemi lojtarë me kualitet që mund të na udhëheqin. Sigurisht që ka ndikuar edhe fakti që e kemi nisur ndeshjen e sotme me përbërje tjetër, por kemi dashur t’ua japim mundësinë secilit lojtar për t’u dëshmuar në këto dy ndeshje. Por, është mirë që këto kanë qenë vetëm ndeshje miqësore dhe na kanë treguar se ku i kemi deficitet dhe çfarë duhet të punojmë si trajnerë.
Engjëll Krasniqi: Në fillim të pjesës së parë nuk ia nisëm agresivë për t’i bërë presion kundërshtarit dhe shumë shpejt jemi lodhur. Por në pjesën e dytë trajneri e ka ndërruar taktikën dhe ka përfshirë disa lojtarë tjerë dhe loja ka qenë më e mirë. I shënuam dy gola por nuk arritëm ta fitojmë ndeshjen. Kanë qenë 20-30 minuta pozitive, por sigurisht se ndeshja e parë ka qenë më pozitive, pasi kemi qenë më cinik para portës. Sidoqoftë duhet të shikojmë përpara që në ndeshjet e ardhshme të luajmë më mirë dhe të forcohemi për kualifikimet që do t’i kemi. Ky grumbullim na ka shërbyer mjaft mirë, jemi më kompakt tani si ekip. Edhe disa aktivitete që kemi bërë në hotel na kanë ndihmuar që ta njohim më mirë njëri-tjetrin, por duhet të përmirësohemi edhe më shumë në miqësoret e shtatorit, në mënyrë që ndeshjet kualifikuese t’i presim sa më të gatshëm dhe të kemi rezultate pozitive.
Leart Salihu: Për mendimin tim nuk e kemi marrë këtë ndeshje ashtu siç duhet. Kemi menduar se do të jetë lehtë, por ekipi kundërshtar sot u shfaq mjaft mirë dhe na bëri paksa befasi. Por, gjë pozitive është fakti që kemi arritur ta kthejmë lojën në 2:2 dhe nuk është keq si rezultat. Goli i parë ishte paksa si dhuratë, por kur ndodhin gabime të tilla nuk duhet të ndalemi. Ajo mund t’i ndodhë çdokujt, nuk ka qenë faji te portieri, por te ne të tjerët që është dashur të bëjmë më shumë. A ndikuan ndryshimet në formacionin bazë? Jo, ne të gjithë lojtarët i kemi të mirë, por nganjëherë i kryejmë aksionet më mirë e ndonjëherë jo. Për mua, s’ka qenë problemi aty. Tash i kemi edhe dy miqësore të rëndësishme në shtator për t’u përgatitur për kualifikimet e Evropianit. Jemi njoftuar shumë mirë me njëri-tjetrin dhe besoj se do të jemi shumë të përgatitur për ciklin kualifikues.